Muzika

A dihet vërtet fituesi i ‘Festivalit të Këngës’?

Shkruar nga Anabel

7 Dhjetor 2019

A dihet vërtet fituesi i ‘Festivalit të Këngës’?

Kur në fillim të qershorit u njoftua se drejtimin artistik të Festivalit të Këngës në RTSH do ta merrte në dorë Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu, njerëzit – që nisur nga sondazhet online, nuk kanë patur ndonjë interes të madh – qenë kureshtarë, për shkak se dyshja ka prodhuar prej kohësh formula të suksesshme. Megjithatë si gjithmonë nuk munguan debatet e forta në lidhje me fituesin, që sipas disa zërash ishte parapërcakuar qysh prej fillimit. Disa thanë se do të fitojë Elvana, disa të tjerë qenë të mendimit se çmimi do të shkojë për Arilenën e të tjerë shkruan letra publike për mungesën e transparencës dhe pse nuk u pranua një këngë e caktuar. Por ja tek jemi, dy ditë para publikimit të të gjitha këngëve që do të konkurrojnë dhe natyrshëm lind (sërish) pyetja: A dihet vërtet fituesi?

1. Për cilin/ën artist/e ka më shumë interes publiku?

Që në momentin që u bë publike lista me këngëtarët pjesëmarrës, emri i Elvana Gjatës ishte më i përmenduri përsa i përket çmimit të madh. Në një sondazh të Wiwibloggs – faqja që merret me përditësimin e të gjithë informacioneve rreth Eurovizionit – shkruhet: Cilin këngëtar mezi po prisni? Me një diferencë të theksuar në vota, Elvana qëndron në vend të parë me 37,47%. Në këtë pikë, është mëse i kuptueshëm interesi i publikut për Elvanën, e cila është vlerësuar ose shpallur fituese në çdo kompeticion ku ka marrë pjesë, si Top Fest apo Dancing with the Stars. Përpos kësaj, siç theksoi edhe Kozeta Kurti në një deklaratë në rrjetet sociale, nuk besojmë se Elvana do të marrë pjesë në Festival me një këngë joprofesionale. Pra, publiku ka të drejtë të mendojë mund të jetë ajo fituesja.

Përveç Elvanës, një tjetër pretendente e fortë është edhe Arilena, e cila në sondazhin e Wiwibloggs renditet në vendin e dytë me 22.03%. Arilena, e cila në një farë mënyrë ka qenë në menaxhimin e Vejsiut dhe Grabockës që kur u shpall fituese e X Factor, është e njohur në Rusi, falë suksesit ndërkombëtar të këngës “Nëntori”, dhe në disa vende të tjera të Europës.

Ashtu si Elvana, edhe Arilena është një nga këngëtaret për të cilat publiku ka më shumë interes, çka rrjedhimisht të bën të mendosh që janë dy nga pretendentet kryesore, të cilat nuk kanë zhgënjyer me pjesëmarrjen e tyre nëpër festivale, albume apo klipe.

2. Disa artistët mund të jenë konkurrentë të fortë.

Olta Boka, në një intervistë për “Aperitiv Fest”, u shpreh se nuk e ka qëllim fitoren, por e mirëpret. Ndryshe nga artistët e tjerë, Olta e ka prekur më parë Eurovizionin dhe e ka më të lehtë peshën e emocioneve. Olta Boka renditet në vendin e tretë, pas Arilenës, me 8.6% të votave. Nga ana tjetër, kemi edhe Albërie Hadërgjonajn, një mikeshë e Vera Grabockës. Duket sikur Albëria nuk e ka qëllim Eurovizionin dhe ka ardhur më shumë nga miqësia me Verën, por të mos harrojmë që këngëtarja ka sjellë këngë të fuqishme kudo ku është prezantuar. Mjafton të kujtojmë baladat "Asnjëherë" në Top Fest 10 apo “Me dorën shtrirë” në 2015-n te “Kënga Magjike”, pretendente për çmimin e parë.

3. Fuqia e interpretimit live.

Në një festival që vlerëson së tepërmi edhe aftësinë për të kontrolluar emocionet dhe për të interpretuar live, sigurisht që mund të favorizohen edhe artistët që kanë dëshmuar se janë të aftë të dhurojnë një performancë të jashtëzakonshme. Era Rusi ka dëshmuar se në live është “bishë” dhe nuk gabon asnjë gjysmë note. Aq më tepër që burime për Anabel.al thonë se Era do të prezantohet me një super këngë. Pra, mund të jetë edhe Era Rusi.

4. Por mund të kemi surpriza.

Uendi Mancaku, artistja që u vlerësua një vit më parë në “Këngën Magjike” si “Best New Artist” mund të jetë një surprizë. Uendi dhe Tiri Gjoci, ky i fundit gjithashtu konkurrent, ishin këngëtarët që shoqëruan Jonida Maliqin në Eurovizion si zërat e dytë. Nga ana tjetër, Kanita, që u formua artistikisht në X Factor dhe ka sjellë balada të suksesshme si ajo në Këngën Magjike, mund të na surprizojë gjithashtu.

5. Juria!

Duhet të shtojmë se me rëndësi të veçantë është edhe juria, e cila mund të ndryshojë rezultatin. Alketa Vejsiu tregoi për “Aperitiv Fest” se “jurinë nuk e njeh ende” pasi do të vijnë tre përfaqësues të huaj nga Eurovizioni.

Për t’iu përgjigjur pyetjes në titull, këtë vit, zor se mund ta themi me siguri se cili do të rrëmbejë çmimin e parë. Deri në finalen e 22 dhjetorit, na ngelet të presim. E meritoi ose jo, e diskutojmë më vonë.

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by ALKETA VEJSIU (@alketavejsiu) on