Dje u publikua traileri i “Joker” me Joaquin Phoenix në rol protagonist dhe po ju njoftojmë që është pak i sikletshëm.
Filmi, me regji nga Todd Phillips dhe me producent Bradley Cooper, rrëfen historinë e Arthur Fleck, një klloun i trishtë, tejet i trishtë nga Gotham. Arthur i kalon ditët duke u kujdesur për të ëmën e sëmurë dhe duke ëndërruar për momentin që do të bëhet komedian i famshëm. Ama, askush s’qesh me të – as moderatori Franklin (luajtur nga Robert De Niro) që e tall publikisht në një prej puntatave të emisionit të tij.
Arthur nuk gjen paqe dhe askush nuk tregon pikë dhembshurie për të. Një grua madje i kërkon të mos e bëjë më për të qeshur të birin...E sulmojnë në rrugë, terapistja i thotë që ia ka sjellë në majë të hundës. Janë dy minuta shumë të ngarkuara emocionalisht. Nëse prekeni lehtësisht, dijeni se do t'ju dhembë pak zemra.
Por mos ndjeni keqardhje për Arthur. Fundja, filmi tregon origjinën e një personazhi negativ, si Arthur u bë një nga armiqtë më të ashpër të Batman.
“Tërë jetën time, s’isha i sigurt në ekzistoja. Ja që ekzistoj,” thotë Arthur në trailer. “Njerëzit po e kuptojnë.”
Traileri tregon kaosin që shkaktojnë banorët e Gotham me maska kllounësh në fytyrë. Kudoqoftë Batman – i cili shumë shpejt do të luhet nga Robert Pattinson – s’ka shumë rëndësi. Ky është filmi i Joker.
Në një moment, Arthur i thotë Franklin, që e ka ftuar në emision: “Kur të më prezantosh, a mund të më prezantosh si Joker?”
Të qeshim a të qajmë me këtë klloun të mjerë? Do e marrim vesh shumë shpejt.