Kinema & TV

Eliza Dushku fiton $9.5 milion në padinë për ngacmim seksual

14 Dhjetor 2018

Eliza Dushku fiton $9.5 milion në padinë për ngacmim seksual

Rrjeti televiziv amerikan CBS pagoi $9.5 milion kundrejt aktores shqiptare Eliza Dushku. Dushku u ankua për ngacmim seksual në sheshxhirimin e serialit “Bull” dhe më pas roli i saj u përjashtua. Ajo paditi sepse sipas saj, kjo ndodhi si formë ndëshkimi ndaj ankesës publike.

Eliza Dushku aktroi në tre episode të serialit dhe iu tha se roli i saj do të kthehej në të përjavshëm. Ky premtim nuk u mbajt kur Dushku foli për komentet e papërshtatshme bërë nga protagonisti u serialit, Michael Weatherly, i cili komentoi paraqitjen e saj, bëri një shaka me subjekt përdhunimin dhe sugjeroi një treshe.

Pasi u ankua, roli i Dushkut u përjashtua nga seriali, gjë që sipas aktores u krye për ta ndëshkuar. Ajo bisedoi me rrjetin televiziv përmes një ndërmjetësi dhe ranë në dakordësi për ta paguar ekuivalenten e pagës që do të kishte marrë nëse do të kishte punuar në serial për katër sezone.

CBS konfirmoi pagesën në një deklaratë për shtyp.

“Aludimet në akuzat e znj. Dushku vërtetojnë se, edhe pse po i përkushtohemi një kulture pune të sigurtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektueshme, kemi shumë punë për të bërë. Pagesa kundrejt këtyre akuzave reflekton pagën që znj. Dushku do të kishte marrë nëse do të kishte aktruar rregullisht në serial. Pagesa u vendos bashkarisht gjatë bisedave me ndërmjetës.”

Ndërsa aktori që bëri komentet e papërshtatshme, Michael Weatherly tha: “Gjatë xhirimeve, bëra ca shaka dhe u talla me dialogun në skenar. Kur Eliza më tha që s’ndihej mirë me gjuhën që përdora dhe humorin tim, u tmerrova nga ideja se mund ta kisha ofenduar dhe kërkova menjëherë falje. Pasi reflektova më tej, kuptova që çfarë thashë s’ishte as për të qeshur dhe as e përshtatshme. Kërkoj falje dhe pendohem për dhimbjen që i shkaktova Elizës.”

Thuajse një vit më parë, Eliza akuzoi koordinatorin e dublantëve në sheshxhirimin e “True Lies” se abuzoi seksualisht me të kur ajo ishte vetëm 12 vjeçe.