Siç çdo gjë tjetër, muzika evolon që do të thotë se çfarë është e bukur dhe e pëlqyeshme sot nuk është nesër, prandaj edhe trendet e momentit ndryshojnë vazhdimisht. Mirëpo nëse disa artistë u bënë të njohur pak e nga pak, me këngë që pëlqeheshin të gjitha njësoj, për disa të tjerë nuk ndodhi kështu.
Le të themi se 3 nga 4 reperët e mëposhtëm kanë patur një karrierë të hershme në muzikë, megjithatë mjaftuan disa këngë të fundit që ata të shfaqeshin krej papritur duke u bërë zyrtarisht SHUMË të njohur.
Fillojmë me Elinelin, reperin simpatik nga Kosova, që ka mbi një dekadë që këndon në Kosovë, megjithatë në Shqipëri askush s’kishte dëgjuar për të.
Ishte Alban Skënderaj që do të na i prezantonte në videoklipin e këngës “Kam Nevojë”, ku Elinel na mbeti në mendje nisur nga pamja dhe stili i jashtëzakonshëm i repit.
Reperi është adhurues i stilit underground, nuk preferon të jetë pjesë e grupeve si OTR apo Babastars dhe promovon vazhdimisht revoltën kundër padrejtësive. Mirëpo nga një "ujk i vetmuar", Elinel po korr sukses kohëve të fundit, emri i të cilit është më i njohur nga publiku.
Pak kohë më parë ai ishte pjesë e projektit të Flori Mumajesit, “Në Shpirt”, ndërsa në fillim të muajit publikoi edhe një bashkëpunim me MC Kreshën, “Për Familje”.
Më parë, ndikuar edhe nga fakti që nuk ishte shumë i popullarizuar, këngët e Elinel vështirë të kapnin miliona klikime, megjithatë kjo i përket të kaluarës pasi tani projektet muzikore numërojnë shumë më shumë klikime se më parë.
Vazhdojmë me Butën, emri i vërtetë i të cilit është Betim Jonuzaj. Reperi është një ndër artistët e pakët që preferojnë muzikën trap, një zhanër i veçantë i hip hopit, që u zhvillua aty rreth fundit të viteve 1990 e fillimit të viteve 2000, stil që karakteristohet nga një atmosferë e përgjithshme e errët duke përfshirë vështirësitë në jetë, varfërinë, dhunën dhe përvojat e ashpra të artistëve në mjedisin e tyre urban.
Buta ka nisur të merret me muzikë pak më herët, ku rreth vitit 2012 publikoi këngën “Kqyre”, por do të ishte “Hashish Thaçi” që në vitin 2016 e bëri më të njohur në Shqipëri reperin nga Kosova.
Fama e tij u vulos përfundimisht në bashkëpunimin me Ledri Vulën. “Mbi Re” do t’i siguronte Butës një famë të jashtëzakonshme, plot 6.2 milionë klikime.
Tanimë Buta është një ndër reperët më IN të momentit, falë stilit të veçantë dhe bashkëpunimeve me emra të rëndësishëm të muzikës shqiptare.
I radhës është Don Phenom, djali nga Shkodra që i vogël emigroi drejt New York-ut, ku nisi edhe karrierën me repin underground.
Megjitatë Don Phenom është një ndër zërat që po dëgjohet më shpesh kohëve të fundit falë famës së madhe të këngës “Twerkirate”, e cila arriti disa miliona klikime edhe pse vinte nga një reper jo fort i njohur në muzikën shqiptare.
Nëpër intervista të ndryshme, Phenom është shprehur se edhe pse do të publikojë këngë komerciale si “Twerkirate”, “Jena Lit” e “Ti e Din”, për aq kohë sa nëpër koncertet e tij njerëzit kanë nevojë të kërcejnë pak, vazhdimisht do t’i kthehet dashurisë së vjetër, repit underground. Pjesë e labelit “TBA-The Bloody Alboz” (Shqipet e Përgjakta), Don Phenom po dëgjohet gjithnjë e më shpesh dhe është padyshim një ndër emrat më me bujë të momentit.
I fundit, i cili bën përjashtim nga të parët për faktin që nuk ka ndonjë karrierë shumë të hershme në muzikë, është Fero.
Me gjithë skepticizmin e një pjese të shoqërisë, me gjithë sherret e Feros e detaje të tjera, ne nuk jemi këtu për të vlerësuar muzikën, po thjesht për të konstatuar se ç’po ndodh. Ndaj Fero është padyshim një emër që u shfaq krej papritur dhe po bën namin.
Një vit më parë, Fero publikoi këngët “Feromeni” dhe “Rra Rra”, por u bë më i njohur pas projektit “Harroj” në bashkëpunim me Kidën.
Kështu pra, siç mund ta shihni edhe në foto, një pjesë e këngëve të fundit të Feros numërojnë përkatësisht 10, 2.5, 12 dhe 6.3 milionë klikime.
Dimë të themi që këta të katër po bëjnë namin krejt papritur, se ç’dëgjoni ju kur bëhet fjalë për muzikën rep është e gjitha zgjidhja juaj. Shihemi me një tjetër listë, së shpejti.