Aktori i spektaklit të humorit “APARTAMENTI 2XL”, Albano Bogdo ka dalë në mbrojtje të Kryetares së FRESSH, Joleza Koka (lexo ketu). Ajo ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave për shkak të një deklarate të saj në një mbledhje të forumit rinor. Nëpërmjet një statusi në Facebook, Albano ka sulmuar ashpër liderët e partive të ndryshme politike dhe ka mbrojtur deklaratën e saj që atij i duket e sinqertë.
“Më thoni....çfarë bëri gabim Joleza?
Kam pothuajse një javë, që shoh masakrimin mediatik që ju bë Joleza Kokës, për të ashtuquajturin " fjalim i turpshëm". Në gjykimin tim, ishte përshkrim i sinqertë i asaj që realisht kishte bërë. Dhe, më thoni...ju kurrë nuk e keni bërë? Të dilni, të pini dy ose tre gota dhe të flini të ndonjë shok ose shoqe? Apo qenka turp vetëm ta thuash? Është me turp të bësh këtë që bëri Joleza, apo të të filmojë Dritan Prifti në korrupsion e sipër (Meta), apo të rrahësh kolegët (Rama), apo të jesh Ministër i Brendshem dhe të të rrahë kush nuk përton (Tahiri) apo të pretendosh që je partia e rinisë dhe modernizimit dhe pastaj të kryqëzosh Jolezen se doli piu nje gotë (Partia Demokratike)? Kjo e fundit është më e dhimbshmja nga të gjitha....PD ishte kryesorja udhëheqëse e kryqëzatës qesharake që u krye ndaj një femre që tregoi se çfarë kishte bërë dje. Më vjen kaq keq që jetoj në një vend ku mund të ndodh realisht kjo gjë. Si mund të dalë Luli dhe të shajë Jolezën se piu një gotë? O Lul po ti vodhe 300 milionë euro në një rrugë të vetme o burrë... Si mund të thotë Rama “do e përjashtoj Jolezën për sjellje të pahijshme”? O Edi po ti ke bredhur b... jashtë me kilometra të tëra...Si mund të jeni kaq ekstremisht hipokritë?” shkruajti aktori i humorit.
Joleza Koka ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave prej ditësh dhe fjalimi i saj është komentuar gjatë. Reagimet kanë ardhur edhe nga artistë të tjerë ku përfshihet edhe kolegu i tij Julian Deda i cili ka patur një qëndrim krejt të ndryshëm duke e ironizuar deklaratën e Jolezës.
“Pse, vetëm për kaq duhet shënjestruar një çupë, që duke qenë e komanduar ndoshta i lind si nevojë për të bërë këtë performancën alla Erion, medemek si vajze e lirshme. U çuditet ju? Po ajo është logjika, me të cilën funksionon i gjithë sistemi i burimeve njerëzore në atë organizatë, nën moton "ha, pi, fli dhe boj qef. Osht i sham ai që punon,” shkruajti disa ditë më parë Jualian Deda në Facebook.