Kur isha vetëm 15 vjeçe, djali i shoqes së ngushtë të time mëje më kërkoi dorën për martesë. Ai ishte pranë të tridhjetave, jetonte jashtë Shqipërisë prej vitesh dhe nuk më njihte. Ishim rritur bashkë, madje kemi pushuar bashkë plazh në kohën kur unë s’kisha nevojë të vishja reçipeta. M’u duk e çuditshme dhe e pavend që një djalë dyfishi i moshës sime donte të martohej me mua duke marrë parasysh marrëdhënien e mëparshme vëllazërore dhe faktin që isha minorene.
Fatmirësisht, familja ime nuk pranoi kategorikisht për të njëjtën arsye që u dhamë të gjithëve nga ai moment e tutje: “Vajza është e vogël dhe do të mbarojë shkollën njëherë. Pastaj le të zgjedhë vetë.” U jam mirënjohëse për qëndrimin e mbajtur ndër vite për martesat me mblesëri, pasi për mua do të ishte e papërballueshme. Më doli nga mendja pak pasi ndodhi dhe prindërit nuk më tregonin më për kërkesat. Thjesht u jepnin përgjigjen standarte.
Së fundi më erdhi sërish në mendje. A do të ishte vërtet aq e tmerrshme të martohesha me mblesëri?
Duhet bërë një dallim patjetër pasi mblesat janë disa-llojëshe:
Mblesëria tradicionale, ku familja ose mblesi të “njeh” me dikë (ose disa) dhe pret zgjedhjen tënde ose të familjes. Si punë pazari, ku oferta takon kërkesën.
Mblesëria moderne, ku familja ose mblesi bëhet thjesht sebep, të njeh me dikë (ose disa) dhe pjesa tjetër është në dorën tënde. E njeh, e hulumton, ndoshta e dashuron dhe gjithçka finalizohet në martesë.
Mblesëria e detyruar, ku familja të tregon burrin/gruan tënde të ardhshme dhe ti “pranon” në heshtje sepse s’ke rrugë tjetër.
E fundit mund të konsiderohet fare mirë një tragjedi e vajzave shqiptare. Ende të reja në moshë, zakonisht lindur në rrethe e provinca, detyrohen të lidhin jetën me një person që e kanë takuar një herë të vetme. Gjithë ëndrrat për t’u shkolluar, për të punuar, apo qoftë për t’u kënaqur si moshataret e tyre shtypen pa teklif. Nisen nuse për t’u shndërruar në shërbëtore dhe fabrika bebesh tek familja e burrit. Këtë s’mund ta mbështes kurrsesi dhe po, është aq keq sa tingëllon, thënë vetë nga goja e atyre që vuajtën një fat të tillë.
Ndërsa për dy kategoritë e tjera gjendem e dyjëzuar. Mblesëria moderne as që duhet të quhet mblesëri, sepse në shumicën dërrmuese të rasteve, dikush do të të njohë me partnerin/en, qoftë një shoqe, familja, mblesa, kolegu, e kuptoni idenë. Për sa kohë dy protagonistët e mblesës kanë dorë të lirë dhe fuqi të plotë mbi zgjedhjet që bëjnë, kjo lloj njohjeje është mëse normale.
Ndërsa mblesëria tradicionale është më me kleçkë sepse është e gjitha në dorë të fatit. I vetmi dallim që ka nga njohjet tipike perëndimore është influenca dhe përfshirja e familjes. Ndonjëherë familja e nxiton procesin, nuk lejon të dalat pa u fejuar e njollos vendimin e protagonistëve me opinionet e veta. Nëse heq këtë faktor nga ekuacioni, pjesa që mbetet është në dorë të fatit, si çdo njohje autonome, le ta quajmë.
Mund të ndodhë të përputheni, të keni të njëjtat qëllime në jetë, të komplementoni karakteret e njëri-tjetrit, të ndani të njëjtat parime. Ose mund të mos ndodhë. Në mblesë ka më pak kohë në dispozicion për t’i kuptuar tiparet më lart, në njohje autonome, më shumë. Të dy skenarët mund të kenë rezultate të kënaqshme pozitive, ose krejt e kundërta. Ngado përpiqem t’ia vë gishtin diçkaje, kthehem tek fati.
Mirë, deri tani fola për njerëzit si qenie shoqërore. Po për njerëzit si qenie seksuale? Këtu dallimi është i qartë. Nëse doni të dini a përshtateni në shtrat me partnerin/en e ardhshme, njiheni vetë, vendosni vetë. Janë të rralla (për të mos thënë që s’ekzistojnë) mblesat që lejojnë këtë lloj kontakti pa hedhur hapin e madh të unazës në gisht.
Edhe pse u përpoqa t’i gjej një zgjidhje pyetjes në titull, 12 paragrafë më vonë përgjigje nuk kam. Vetë, ndoshta nuk do të pranoja të njihesha me mblesëri sepse jam njeri kryeneç dhe shumë i pavarur. Por ndoshta dikush tjetër, më i shtruar se unë, do të lexojë letrat e mëposhtme dhe do ta shohë mblesërinë me sy tjetër. Jo çdo letër është film horror/përrallë ashtu si jo çdo histori është bardhë e zi. Ç’ka zhuzhitet në fund të tenxheres është vetëm diçka: me çfarë jeni rehat të bëni ju si njerëz. Nga këtu, qëndrimi është i lehtë.
Letra 1
Letra 2
Letra 3
Letra 4
Letra 5
Letra 6
Copyright Anabel.al / Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.