
Një kronikë e "Fiks Fare", ku u zbulua se disa produkte bulmeti (kryesisht gjalpi) përmbanin vaj palme dhe nuk e kishin të specifikuar në paketim, u bë shkak për përhapjen e një alarmi në shkallë të gjërë.
Njerëzit shkruanin të tmerruar në rrjete sociale që po hanin produkte me vaj palme dhe shpreheshin me të njëjtën neveri sikur të kishin gjetur një mi të ngordhur në supën e porositur në restorant. Por dietologia Blerina Bombaj sqaron se sulmi ndaj vajit të palmës nuk është plotësisht i logjikshëm.

Bombaj, e cila tashmë punon edhe si dietologe klinike pranë Spitalit të Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, thotë se ka yndyrna edhe më të dëmshme për rritjen e kolesterolit se vaji i palmës.
Nga vjen vaji i palmës?
Vaji i palmës, së bashku me vajin e kokosit, janë vajra tropikalë, të cilët përdoren masivisht në vendet ku prodhohen. Vaji i palmës është dy llojesh: vaj nga tuli i frutit dhe vaj nga bërthama e frutit. Këto vajra janë të pasur në acide lyrore të ngopura, të cilët janë lidhur me rritje të kolesterolit në gjak. Kjo është arsyeja përse vajit të palmës i ka rënë reputacioni vitet e fundit. Në fakt, ndër vajrat tropikalë, ai i palmës ka raportin më të favorshëm të acideve lyrore të ngopura. 50% e tij përbëhet nga këto lloj lipidesh dhe pothuajse e gjithë pjesa tjetër përbëhet nga acide lyrore të ngjashme me ato të vajit të ullirit. Ky vaj preferohet nga industria ushqimore, pasi është në gjendje të ngurtë, në temperaturë ambienti dhe ndihmon në konsistencën e produkteve. Vaji i palmës apo i kokosit janë vajra bimorë krejtësisht të ngjashëm në përbërje me gjalpin shtazor, por kanë kosto më të lirë.
A e rrit kolesterolin vaji i palmës?
Studimet e fundit tregojnë se yndyrnat më të dëmshme për rritjen e kolesterolit janë ato bimore, të cilat nuk janë të ngurta në temperaturë ambienti dhe që të ngurtësohen, kalojnë në proces hidrogjenizimi, ku përftohen edhe acidet lyrore trans - të cilat janë ndaluar për t’u përdorur si shtesa ushqimore që prej 2006-ës. Industritë e ushqimit në botë kanë zëvendësuar yndyrnat e dëmshme trans me vajin e palmës, i cili nuk ka nevojë për hidrogjenizim pasi është vetë i ngurtë.
Fakti që vaji i palmës është alternativë më e shëndetshme se sa margarinat e hidrogjenizuara, nuk do të thotë që e bën ushqimin më të shëndetshëm, por as më të dëmshëm nga çfarë është vetë ushqimi. Madje, vaji i palmës është më rezistent në gatim krahasuar me vajrat bimorë, të tipit vaj misri apo vaj luledielli, pasi këta të fundit edhe pse kanë pikë tymosjeje më të lartë, oksidohen shumë shpejt dhe prodhojnë substancë tepër toksike.
Gjithsesi, yndyrnat e ngopura nuk duhet të tejkalojnë 10% të kalorive ditore, që do të thotë se për një femër nuk duhet të jenë më shumë se 25 gramë dhe për një mashkull nuk duhet të kalojnë 30 gramë në ditë, qofshin këto vaj palme, gjalpë, vaj kokosi apo dhjamë.
Prandaj është e domosdoshme që të gjitha produktet të shkruajnë përmbajtjen e tyre në etiketë.
Ju përmendët edhe vajin e misrit apo të lulediellit si vajra që mund të jenë të dëmshme, pasi prodhojnë substanca toksike. Mes gjithë këtyre vajrave, cili sipas njohurisë suaj, mbetet më i shëndetshmi?
Vaji i ullirit i presuar në të ftohtë është absolutisht një mbret në kuzhinë. Edhe vaji i ullirit i cilësisë së dytë, thjesht "i virgjër", është një zgjedhje shumë e mirë në gatim. Por duke pasur parasysh ngarkesën e madhe kalorike, duhet ruajtur gjithmonë masa.
Kam vënë re që është intensifikuar lufta ndaj vajit të palmës. Më kujtohet kur kam lexuar përpara dy vitesh në media artikuj kundër Nutella-s, vetëm se krem çokollata kishte në përbërje vaj palme. Përse gjithë këto sulme, kur paska vajra edhe më të dëmshëm?
Nëse ka një arsye për t'iu kundërvënë përdorimit të vajit të palmës, ajo është lidhja e prodhimit të këtij vaji me shkatërrimin e pyjeve tropikale dhe abuzimin me fuqinë punëtore të këtyre vendeve dhe jo me dëmin që sjell në shëndetin e njeriut përdorimi i tij. Prodhimi masiv i vajit të palmës ka rezultuar në katastrofa ekologjike dhe refuzimi ndaj këtij prodhimi, është një votë për mbrojtjen e ambientit dhe planetit.