
Në rolin e prindit, të jesh nudo përpara fëmijëve është ndonjëherë e paevitueshme. Ndoshta sapo keni dalë nga dushi kur ata hyjnë papritur në banjë, ose po vraponi për të marrë një peshqir ndërsa po visheni.
Këto momente të shpejta rrallëherë shkaktojnë ndonjë dëm të përhershëm tek fëmijët, por shumë prindër pyesin:
“A është në rregull që fëmijët të më shohin nudo? Duhet të mbulohem? A ka një moshë kur kjo nuk është më e përshtatshme?”
Sipas psikologes dhe ekspertes së prindërimit Reena Patel, përgjigjja varet nga disa faktorë: mosha e fëmijës, niveli i pjekurisë, zhvillimi individual, kultura familjare, vlerat personale dhe stili i prindërimit.
“Nuk ka një rregull të vetëm që vlen për të gjithë,” shpjegon Patel. “Varet nga dinamika dhe ndjeshmëria e familjes.”
Fëmijët nën moshën parashkollore zakonisht nuk e kuptojnë plotësisht konceptin e të qenit lakuriq. Me rritjen e vetëdijes për trupin e tyre, ata mund të fillojnë të bëjnë pyetje apo të kërkojnë më shumë privatësi. Sipas psikologes klinike Kanchi Wijesekera, është normale që normat familjare mbi zhveshjen të evoluojnë me kohën.
“Kur të qenit pa rroba trajtohet me natyrshmëri dhe pa ndrojtje në shtëpi, kjo i ndihmon fëmijët të ndërtojnë një marrëdhënie të shëndetshme dhe të mos kenë turp për trupin e tyre,” thekson ajo.
Psikologia Patel shton se stili i prindërimit mund të jetë më i hapur ose më i rezervuar, por e rëndësishme është që mesazhi të jetë i qartë: trupi nuk është burim turpi.
“Kur pasqyroni dashurinë ndaj vetes, fëmijët mësojnë ta duan trupin e tyre pa gjykim,” thotë ajo.
Por kjo nuk do të thotë që prindërit duhet të jenë gjithmonë të zhveshur për të ndihmuar fëmijët të ndërtojnë imazh pozitiv trupor.
“Si psikolog dhe si prind, besoj se pozitiviteti ndaj trupit mund të mësohet si me rroba, ashtu edhe pa to,” shton Adolph Brown, ekspert i edukimit prindëror dhe psikolog klinik.
Fëmijët fillojnë të formojnë kujtime afatgjata rreth moshës 3-4 vjeç, ndaj çdo kontakt para kësaj moshe ka shumë gjasa të mos mbahet mend. Por pasi rriten, është e rëndësishme të vini re reagimet e tyre.
“Nëse fëmija juaj nuk ndjehet rehat, largohet apo thotë ‘sa siklet’, kjo është një shenjë që ai ka nevojë për më shumë privatësi,” thotë Brown.
“Nëse, nga ana tjetër, vazhdon të bëjë sanduiçin pa u shqetësuar fare, është një tregues që ndjehet rehat me situatën.”
Rreth moshës 4 vjeç, ekspertët këshillojnë që prindërit të fillojnë të kufizojnë zhveshjen për të ndihmuar në krijimin e kufijve të shëndetshëm.
Një nga mësimet më të rëndësishme që mund t’u jepni fëmijëve është respekti për privatësinë. Kjo përfshin jo vetëm ruajtjen e kufijve tuaj si prind, por edhe ndihmën që ata të kuptojnë kufijtë e tyre.
“Fëmijët duhet të dinë se kanë të drejtë për privatësi dhe për të thënë “jo,” thekson Wijesekera.
Gjithashtu, mos bëni komente negative për trupin, as për trupin tuaj dhe as për të tjerëve, sepse fëmijët mësojnë nga mënyra si flisni për veten.
Nuk ka një përgjigje të saktë për të gjithë. Çdo familje ka rregullat dhe normat e veta. Më e rëndësishmja është të vëzhgoni fëmijën tuaj dhe të respektoni sinjalet e tij, thonë ekspertët.
“Fëmijët janë shumë të mirë në të komunikuarit kur janë gati për më shumë privatësi. Ta ndjekësh shembullin e tyre është mënyrë e shkëlqyer për të pasqyruar respektin ndaj hapësirës personale.”