Camila Morrone dhe Leonardo DiCaprio janë bashkë prej dy vitesh dhe njerëzit s’ndalojnë dot së komentuari diferencën 23-vjeçare në moshë. Për më tepër që Leo s’ka qenë kurrë i lidhur me dikë mbi 25 vjeçe. Leo dhe aktorja e “Mickey and the Bear” u njohën kur ajo ishte 10 vjeçe përmes njerkut të saj, Al Pacino, që e komplikon më shumë situatën.
Camila dha një intervistë për Los Angeles Times, ku ndër të tjera shpjegoi edhe diferencën madhore në moshë. Ajo tha se përgjatë historisë, plot çifte kanë pasur diferencë në moshë dhe s’e kupton pse duhet reaguar kështu. “Mendoj se njerëzit duhet të jenë të lirë të lidhen me kë të duan,” tha Camila. “Me shumë mundësi, edhe unë do të isha kurioze.”
Për sa i përket ndikimit që kanë rrjetet sociale në karrierën e saj, Camila shtoi:
“Tani që njerëzit po shohin filmin, po krijojnë një tjetër imazh për mua, larg Instagramit. Gjë që më acaron sepse të gjithë duhet të kenë një identitet të veçuar nga njeriu me të cilin janë lidhur. E kuptoj pse e bëjnë lidhjen, por jam e bindur që me kalimin e kohës do të ndodhë gjithnjë e më rrallë.”
Në një video në Instagram publikuar pak kohë më parë, Camila tha se “njerëzit duhet të jetojnë me më pak urrejtje në zemër dhe ta shpenzojnë kohën në mënyra të tjera.” Praktikisht, tha shihni punët tuaja.
Për sa i përket pyetjes në titull, s'i dihet, por gjithsesi, le të shohim punët tona.