
Shumë prej nesh kemi herë pas here një sërë mendimesh në kokë. Ngjan sikur jemi në një bisedë të pandërprerë, personale, me vetveten. Ndonjëherë, është e shëndetshme të shprehim këto mendime apo ndjenja, qoftë me zë apo me një mesazh. Për shembull, t’i shkruash një shoqeje “Po të mendoj këto ditë” mund të jetë pikërisht përkrahja që asaj i duhej pa e ditur. Apo të ndash një ide të re në punë mund të sjellë përfitime si për kompaninë, ashtu edhe për ty.
Por psikologët paralajmërojnë: jo çdo mendim duhet të rrëfehet.
“Nuk ke pse të thuash gjithçka që të kalon nëpër mendje,” thotë Dr. Sanam Hafeez, neuropsikologe dhe drejtoreshë e Comprehend the Mind.
“Shumë mendime janë të papërpunuara ose të nxitura nga stresi. Po t’i thuash menjëherë, mund të keqkuptohen ose të lëndojnë dikë që të intereson vërtet.”
Pra, kur duhet të heshtësh e kur të flasësh? Më poshtë janë 8 mendime që psikologët këshillojnë të mos i ndash kurrë me të tjerët dhe arsyet pse.
1. “Ajo/ai duket sikur ka shtuar në peshë…”
Një koment i tillë, edhe nëse nuk thuhet drejtpërdrejt përballë personit, mund të jetë shumë lëndues. Dr. Hafeez thotë se ky lloj vëzhgimi nuk i shërben askujt, përveçse për të krijuar siklet dhe për të dëmtuar marrëdhëniet.
“Nuk ka asnjë arsye të shprehësh një gjykim për pamjen e dikujt,” shton Dr. Holly Schiff, psikologe klinike. “Është jo vetëm e panevojshme, por edhe e pasjellshme. Shumë nga këto mendime janë kalimtare dhe, në vend që të ndihmojnë, vetëm largojnë njerëzit.”
2. “Ish-i im ishte shumë më i/e mirë në këtë gjë se ti.”
Krahasimet me ish-partnerë janë një recetë për shkatërrimin e marrëdhënieve. Edhe nëse ndihesh i zhgënjyer apo ke pritshmëri të tjera, psikologët këshillojnë që të mos e shprehësh në këtë formë.
Në vend të kësaj, përdor:
“Do më pëlqente të kalonim më shumë kohë së bashku pa telefona, më ndihmon të ndihem më afër teje.”
3. “Ai/ajo foshnja nuk është fare i/e bukur.”
Edhe nëse një mendim është i sinqertë, kjo nuk e bën të përshtatshëm për ta ndarë me të tjerët. Komente të tilla konsiderohen të papërshtatshme dhe të vrazhda.
“Edhe nëse foshnja nuk e kupton, të rriturit përreth me siguri që do ta bëjnë,” thotë Dr. Jan Miller, psikologe pranë Thriveworks.
“Kritikat e paqarta dhe pa filtra kanë potencialin të dëmtojnë marrëdhënie dhe të krijojnë distancë.”
4. “S’besoj se ata e përballojnë dot jetën”
Komentet mbi financat e të tjerëve janë shpesh të motivuara nga xhelozia ose gjykimi. Dr. Hafeez thekson se nuk është as roli yt dhe as nevoja jote të komentosh mbi mënyrën si dikush tjetër i shpenzon paratë.
Në vend që të përqendrohesh te ç’kanë të tjerët, përpiqu të kultivosh mirënjohje për atë që ke vetë.
5. “Prindërit e tu më çmendin”
Nëse ke vështirësi me njerëzit e afërt të partnerit apo miqve të tu, është e rëndësishme ta shprehësh me kujdes dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Komente të tilla mund të prishin marrëdhënie dhe të krijojnë tensione të panevojshme.
“Mendime të tilla lindin kur je emocionalisht i ngarkuar, ndaj është mirë të marrësh kohë për t’i përpunuar,” këshillon Dr. Miller.
6. “Unë fitoj shumë më shumë para se ti.”
Edhe pse transparenca financiare mund të jetë e dobishme në disa raste, mburrja për të ardhurat është shpesh e panevojshme dhe ofenduese.
“Ky lloj komenti është një përzierje mburrjeje dhe nënçmimi,” shprehet Dr. Hafeez.
“Nuk ndihmon askënd, vetëm krijon ndjenja pakënaqësie dhe xhelozie.”
7. “Partneri yt nuk më pëlqen. Meriton më mirë.”
Edhe nëse ke qëllime të mira dhe shqetësohesh për një mik apo një të afërm, ky koment zakonisht nuk merret mirë. Shpesh nxit mbrojtje dhe tension, në vend që të nxisë reflektim.
“Ky lloj mendimi rrallëherë çon në ndryshim real,” thotë Dr. Schiff. “Më shumë gjasa ka të prishë marrëdhënien tuaj me atë person.”
8. “E di çfarë më tha filani? Do të habitesh!”
Kur dikush të beson një sekret, mbaje për vete. Tregimi i informacionit konfidencial, edhe nëse me qëllime të pafajshme, dëmton besimin dhe të paraqet si thashethemexhi.
“Njerëzit që ndajnë sekrete të të tjerëve humbasin respektin dhe besimin e rrethit të tyre,” paralajmëron Dr. Miller.
Sigurisht, përjashtim bëjnë rastet ku sekreti ka të bëjë me rrezik për jetën apo shëndetin e dikujt. Por për çdo gjë tjetër, ruaj privatësinë dhe konsideroje një nder të madh faktin që dikush të ka besuar.