Në episodin e fundit të “The Dalina Show”, Dalina Buzi shtjelloi me ndjeshmëri dhe thellësi atë që shumë emigrantë e jetojnë çdo ditë — presionet e padukshme, por të vazhdueshme, që shpesh njerëzit që jetojnë në Shqipëri nuk i kuptojnë dot… thjesht sepse nuk i kanë përjetuar vetë.
Këto janë gjashtë barrat që një emigrant i mban mbi supe dhe për të cilat, shumë herë, nuk flitet mjaftueshëm.
1. Pritshmëria kulturore
Në shumë familje shqiptare, sidomos në ato me rrënjë të thella tradicionale, emigranti shihet si “shpëtimtari ekonomik”. Pa u bërë ende mirë vetë, pa u sistemuar emocionalisht apo financiarisht, pritet që ai/ajo të ndihmojë të tjerët.
Vetëm se je jashtë, automatikisht pritet që të jesh mirë dhe të japësh. Por emigrimi s’është një magji, është betejë çdo ditë.
2. Idealizimi i jetës jashtë
Frika më e madhe e çdo emigranti është të keqkuptohet. Dhe shpesh kjo ndodh pikërisht nga njerëzit më të afërt.
Ka njerëz që ende mendojnë se jeta jashtë është fushë me lule. Shtëpi me pishinë, rroga pa fund, pushime çdo muaj. Por realiteti është krejt ndryshe.
3. Ndjenja e fajit dhe manipulimi emocional
Shprehje të tilla si "Na harrove tani që e ke kapur veten", edhe në formën e humorit, janë thika të vogla që shpojnë ngadalë. Edhe kur emigranti përpiqet të vendosë kufij emocionalë, ai/ajo shpesh përballet me fjalë që i ngjallin faj.
Edhe kur s’e thonë me të keq, manipulimi emocional është real. Dhe është e vështirë të mos ndihesh keq kur je larg.
4. Varësia financiare
Shumë emigrantë nuk ndihmojnë vetëm sot, por janë futur në një cikël ndihme afatgjatë: qiraja e një të afërmi, shkolla e një nipi, një problem shëndetësor familjar — dhe lista vazhdon.
Ka raste kur një emigrant mbështet ekonomikisht deri në tre apo katër breza të një familjeje. Dhe kjo ndodh pa një sistem të qartë kufijsh.
5. Turpi dhe krahasimet sociale
Në komunitetet shqiptare brenda dhe jashtë vendit, krahasimi është i përhershëm. Suksesi matet me arritje të dukshme, jo me qetësinë mendore apo mirëqenien emocionale.
Turpi që s’ke arritur njëfarë statusi apo që s’ke dërguar sa të tjerët është i madh. Në vend që të shihet rruga e çdo individi, krahasimi shndërrohet në dënim shoqëror.
6. Distancimi emocional
Kur je larg për shumë vite, edhe lidhja me familjen fillon të ndryshojë. Jo për mungesë dashurie, por për shkak të përvojave që nuk ndahen më nga afër.
“Një pjesë e emigrantëve jetojnë me fajin që nuk ndihen më emocionalisht të lidhur si dikur,” thotë Dalina. Ndërkohë që, nga ana tjetër, s’mund ta detyrosh veten të ndjesh një afërsi që e ka brejtur koha, largësia apo shfrytëzimet e vazhdueshme.
Ndiqni episodin e plotë më poshtë:
Artikuj të sugjeruar: