




SARANDA
Ajo që dikur është quajtur “perla e jugut” për qetësinë dhe pastërtinë që të falte, nuk është më e tillë sot. Ajo që është bërë në Sarandë është një krim. Nuk ka asgjë që lidhet vendet turistike të komshijve dhe kushërinjve të tyre grek. Me detin më të bukur në Shqipëri, me ishullin e Korfuzit, me Butrintin dhe me shumë bukuri të tjera natyrore, Saranda nuk është më qyteti turistik që ka qenë. Ajo është mbuluar nga pallate dhe hotele ngjitur me njëri-tjetrin, pa asnjë lloj sistemimi, me rrugë shumë të ngushta dhe pa hapësira të tjera. Dëshira ka qenë vetëm tërheqja e turistëve, por duke parë hapësirat që ajo ofron (përveç hapësirave për të fjetur) nuk e ndihmojnë turizmin. Nëse në Sarandë do të duash të shohësh detin, duhet të zbresësh poshtë në të njëjtën shëtitore, në të vetmen shëtitore sepse nga ballkoni mund të shohësh vetëm dritaret e pallateve që ke përpara dhe jo det. A mund të rregullohet ky tmerr që i është bërë Sarandës? Vetëm nëse do të krijohej nga fillimi. Dëmi është i pariparueshëm.
GOLEMI
Nuk bëhet më. Golemi nuk është plazh, nuk ka asgjë që i adresohet një vendi pushimi. Nuk është i bukur. Pallatet shumëkatësh e ngjyra-ngjyra me arkitekturë pa asnjë lidhje me vendin e të ngritura në rërë. Nuk të jep qetësi. Përkundrazi të krijon ndjenjën e një kaosi, të përzierë me muzikë tallavaje që vjen nga lokalet dhe aromë qofteje. Nuk është i pastër. E ku përveçse në det do të hidhen gjithë mbeturinat dhe jashtëqitjet e pushuesve dhe banorëve të kësaj zone. Golemi është një mankth. Dikur i mbuluar nga pisha, sot është një kaos pallatesh të shëmtuara që u ngritën turravrap për të “kapur” sa më shumë banorë të Kosovës në çdo cep.
KODRAT E LIQENIT
Tirana është e qartë që duhet të zgjerohet, por sikur kryetari i komunës së bashku me kryetarin e Bashkisë të çdo lloj sistemi, t’i jepnin lejet e ndërtimit bashkë me paaaak dashuri për këtë qytet, ndoshta nuk do të kishim ato palate kurriz më kurriz, të formave dhe madhësive të ndryshme, të cilësive të ndryshme (ju kujtohet ai që rrëshkiti) dhe të çudirave arkitekturore të ndryshme (Le të kujtojmë pallatin “çentro” në hyrje të Digës). Një plan arkitekturor (që u vu në zbatim pak me vonesë), mund të kufizonte katet e pallatit, ose mund të sugjeronte disa ngjyra të caktuara, mosprishje të gjelbërimit për njëfarë njëtrashtmërie.
KULLAT E LARTA
Një nga këto tmerre urbanistike janë edhe dy kullat binjake të ndërtuara në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë. Ato ndodhen në afërsi të Piramidës e cila është me shumë vlerë historike për vendin tonë, por që është kombinuar në mënyrë aspak të përshtatshme me këto dy kulla të larta të bukura e moderne, por në vendin e gabuar. Pavarësisht se kush e ka dhënë lejen për këto kulla, të vendosësh objekte si dy Kullat Binjake në Bulevard është një gafë e madhe. Sido që të ndryshojë kjo zonë e Tiranës në të ardhmen, këto kulla nuk mund të “zhbëhen”, ato do të vazhdojnë të jenë aty edhe kur Piramida të jetë një objekt më i rëndësishëm. Ndoshta me shtimin e këtyre kullave të larta në qendër të kryeqytetit, ato nuk bëjnë më përshtypje sa më pare, por gjiithsesi janë objekte që nuk duken bukur në qendër të qytetit.
VLORA
Nëse dikush shkon në Vlorë me pushime, me siguri vë re se kodra përballë detit nuk është më një kodër e gjelbër, por një tufë pallatesh pa asnjë lloj rregullsie dhe bukurie. Madje jo pak prej tyre prej vitesh kanë mbetur si një skelet i shëmtuar. Këto pallate dhe vila janë aq afër me njëri-tjetrin sa me siguri po të hapësh dritaren, mund t’i japësh dorën komshiut për ta përshëndetur. Për të mos folur pastaj për rrugët e vogla, të ngushta dhe plot baltë edhe në verë nga ujërat që derdhen ngado. Shumëllojshmëri ngjyrash, formash, madhësish, dhe me disa objekte shumë të veçanta, por që së bashku krijojnë një pamje aspak të bukur për t’u parë. Besoj e mbani mend pallatin që u ndërtua në det në Vlorë? Megjithë debatin që u hap, ky pallat u prish, ndoshta sepse disa njerëz u ndërgjegjësuan jo vetëm për dëmin që i kishin bërë natyrës, por edhe për rrezikun që kanosej. Për të mos folur pastaj për Sheshin e Flamurit, një prej pikave më të vizituara nga turistët në Vlorë. E dini se çfarë sheh një turistë që vjen ka ardhur në Vlorë 15 vjet më parë dhe tani? Të njëjtin pallat pikërisht aty në Shesh të Flamurit, i cili është një skelet që nuk u mbarua kurrë. Mirëpo turistët e huaj nuk e dinë siç e dimë ne se ai pallati u prish një herë, u ndërtua prapë dhe vazhdon të jetë njësoj. Shumë pranë tij, pikërisht në qendër të qytetit, është një tjetër pallat i madh i ndërtuar vitet e fundit për të cilin ka debate të mëdha se kush e dha lejen. Me siguri ai që e ka dhënë lejen nuk e mendoi se çfarë i bëri qendrës së qytetit turistik.
Nuk janë vetëm 5 gjatë këtyre viteve qeverisje që pas komunizmit, janë më shumë. Po flasim për tmerre urbanistike, për dëme të pariparueshme, për qytete të përçudnuara dhe gjelbërim e natyrë të dhunuar. Po flasim për ato tmerre të cilat sa here na kujtohen, na dhemb zemra, pasi e dime që fatkeqësisht, nuk ka kthim mbrapa.
Shfletoni galerinë për t'i zbuluar ato.