












Flirti incestor
‘O mami bukur’. Kjo nuk duhet thënë në asnjë lloj rrethane për 2 arsye: 1. Burri i saj është do të dalë pas 2 sekondash nga lokali 2. Ajo është 16 vjeç dhe bebushja që po mban hopa është motra e saj e vogël!
Flirti kanibal
‘Të hëngsha (çdo pjesë trupi)’ Përveçse ka disa pjesë trupi emri i të cilave nuk është edhe aq i thënshëm, të themi të drejtën, kur dikush të shpreh në mes të rrugës dëshirën për të të ngrënë, nuk është se klasifikohet tek ‘meshkujt idealë për të qenë i dashuri yt’.
Flirti Atak Kardiak
Një frenim i beftë disa milimetra larg këmbëve të tua dhe papritur, pasi ty të ka ngrirë gjaku dhe të ka dalë e gjithë jeta përpara syve, nga makina del koka e një djali që të thotë duke buzëqeshur: ‘U trembe?’ Jo, nuk u tremba. S’pata kohë të trembesha. E dua jetën, dhe e dua pa ty.
Flirti ‘bakllava’
‘Prindërit e tu mos kanë ndonjë pastiçeri, se të kanë bërë shumë të ëmbël’… Ai i pari fare që e ka thënë këtë shprehje mbase ka qenë djali më kreativ i arbëreshëve, por pasi kjo puna e pastiçerisë është përsëritur 1.584.524.448 herë, jemi velur!
Flirti materialist
‘Kush të ka lënë n’kom?’ dhe ty që të vjen t’ia kthesh: ‘Shija ime për meshkujt, e cila nuk përfshin makinat, të cilitdo tipi të fundit qofshin ato’
Flirti faktik
‘Mos ki merak, nëse nuk do ti nuk ndodh asgjë’. ‘Sigurisht që nuk ndodh asgjë, nëse nuk dua unë!’, do të mendonte çdo vajzë. Nuk ka kuptim që t’i japësh asaj një të drejtë që ajo e ka!
Flirti i kalçetos
‘Bëjmë një 3-she-3-she me porta të vogla?’ E vetmja portë e vogël në këtë rast është ajo e makinës me të cilën ajo dhe 2 shoqet e saj janë nisur për në pub, e ku ju nuk keni shanse të hyni.
Flirti fetar
‘T’rujt Kisha e Laçit’ ‘T’rujtt Zoti!’. Janë ato fjalët që djemtë për ndonjë arsye të veçantë ua thonë vajzave nëpër trotuare. Mbase ka të bëjë me rrugët pa semaforë, ku rreziku për jetën është i lartë. Sidoqoftë, në këtë rast, një vajzë do të mendonte se më mirë të rrezikojë jetën, sesa të ecë për krahu me djalin që ia thotë.
Flirtet flouro-faunastike
‘Pjeshka’, ‘rrushi’, ‘si kalë serb’, ‘pelë’ ‘zogu’, ‘skifteri’. Sepse vlera e këtyre shprehjeve për të flirtuar ka shkuar më pak se çmimi i rrushit që ka 1 javë në dyqan.
Flirti Piramidal
‘Hajde t’çoj lali te noteri (të të jap ç’të duash me letra)’. Ja pse ndodhi ’97-a!
Flirti i parë i dokumentuar në vitin 150 Para Krishtit
‘Bjonde e ke radhën sonte’
Flirti ‘Në të mirë e në siklet’
Ajo pret në radhën përpara tualetit, ku një korridor i përbashkët ndan WC-në e femrave me të meshkujve. Ndërsa ajo mendon se pub-et duhet të kenë patjetër më shumë sesa vetëm 2 tualete, ai i afrohet dhe i thotë: ‘Hëm, shiko, e di që është e sikletshme sepse jemi në banjo por, do të doja të pija një kafe me ty’. Disa gjëra janë kaq afër, por kaq të pamundura për t’i pasur, si ajo WC e zënë prej 10 minutash. Disa të tjera të vijnë vetë edhe nëse nuk i do, dhe pikërisht në momentin më të keq!
Flirti GPS
‘Më duket se të pashë dje në ‘Myslym Shyr’, ose tek Skënderbeu…’ Ose në Kinë! S’ka rëndësi ku ‘e ke parë’, tani që je mazhoren duhet të mësosh një të vërtetë të madhe: Tirana është e vogël, dhe probabiliteti për të parë rastësisht një vajzë, është diku tek 2000% më i lartë se në Pekin. Pra, nuk është justifikimi i duhur për të hyrë në bisedë me dikë në Facebook.
Nuk ka femër shqiptare që të mos ia kenë thënë të paktën 1 herë secilën prej këtyre shprehjeve. Sepse, ato janë aq të lashta dhe të dëgjuara, sa e kanë humbur vlerën ‘joshëse’, nëse e kanë pasur ndonjëherë. Shfletoni galerinë!