Pas një ndarjeje të dhimbshme në fillim të këtij viti, kam kuptuar se njerëzit e përfytyrojnë të qenit single ose si gjënë më të mirë, ose si gjënë më të tmerrshme. Kështu shkruan një gazetare e EliteDaily. Dhe mund t’a miratojmë: për shumë njerëz, të qenit single mund të duket si aventura më fantastike e jetës, për të tjerë, si përvoja më e frikshme. Po në të vërtetë? Ja si ndikon pozitivisht dhe negativisht të qenit i vetmuar, në 10 aspekte të jetës:
Paratë
Negative: Xhepi yt mund të jetë plot, por arsyeja nuk është fort e këndshme. Është sepse je single dhe je i vetmuar, dhe në të vërtetë, nuk ke me kë t’i shpenzosh ato para. Dhe sa më shumë të shtohen kursimet, aq më shumë të kujtohet se, je fare vetëm.
Pozitive: Mund t’i shpenzosh paratë ku, kur dhe si të të dojë qejfi! Nuk ke pasur me kë t’i shpenzoje, ndaj ke në gjendje vazhdimisht më shumë para se shoqet e tua që janë të fejuara dhe ankohen se s’kanë para për qeranë, ujin apo thjesht për të dalë. Janë të tuat, mund të udhëtosh kudo nëpër Europë me to! Ndoshta, të dashurit tënd nuk do t’i pëlqente kaq shumë Barcelona. Pri biletën!
Shoqëria
Negative: kur je single, të përndjek një ndjesi vetmie. Jo se miqtë janë krejt të parëndësishëm, dhe nuk mund t’a zënë vendin bosh që të lë mungesa e gjysmës tjetër. Por marrëdhënia me ta nuk është e njejta si me një njeri me të cilin ndani tërheqje seksuale. Ndarja me të dashurin është si të humbësh një mik shumë të afërt, të besuar, për të cilin ndjen dashuri.
Pozitive: Një njeri më pak me të cilin të grindesh. Përveç kësaj, tanimë nuk do të kesh frikë se do të vijë dita kur kjo marrëdhënie do të përfundojë. Sepse ajo marrëdhënie ka përfunduar tashmë! Madje nëse ke një mik të ngushtë i cili të qëndron pranë pasi je ndarë, do t’a çmosh atë më shumë se kurrë!
Dëshira për të njohur njerëz
Negative: ndërsa miqtë e tu ose kanë krijuar marrëdhënie të forta, ose janë duke njohur njerëz të tjerë, dëshira jote për të dalë me partnerë të mundshëm është pothuajse 0. Sepse, je i pushtuar nga frika se ai do të jetë thjesht një tjetër që do të të thyejë zemrën. Sepse, ke frikë se nuk do t’a gjesh dot kurrë dikë që do të të bëjë të ndihesh si ai. ‘A ka diçka që nuk shkon me mua, apo kështu ndodh me të gjithë?’
Pozitive: Mund të njohësh njerëz të ndryshëm dhe të kuptosh se çfarë do. Je i lirë për t’a bërë këtë tani. Ka diçka që të kënaq kur njihesh me njerëz të rinj, në rrjetet sociale, në shoqëri, në shkollë, në punë, dhe mund t’a lësh me aq nëse ndjen se po të mërzisin. Nuk ke përse jep shpjegime, apo ndihesh në faj!
Të dalësh me të tjerë
Negative: Nëse do që të kesh dikë pranë në të ardhmen, duhet të fillosh të dalësh me të tjerë. Por kjo është e vështirë, pasi ke ndjesinë se do të të mungojë gjithmonë dëshira për t’a bërë këtë. Përveç kësaj, të duket se askush nuk do të mund të të dojë ashtu siç je.
Pozitive: Je i vetëdijshëm se e ke përjetuar si tragjedinë më të madhe të kohërave, por kjo të ndihmon të mos biesh më në dashuri me kokë, si herën e fundit. Ndaj, mund të dalësh me njerëz të tjerë pa u përfshirë; të kënaqesh, të njohësh të tjerë dhe veten. Kjo të ndihmon edhe për vetëbesimin!
Koha e lirë
Negative: Tani që ke kohë të lirë pafund, nuk di se si ta shfrytëzosh, pasi ndjesia e boshllëkut të çon drejt gjërave të kota, aktiviteteve pa rezultat. Mund të dalësh, dhe të përfundosh duke pirë si kurrë ndonjëherë. Pozitive: Është mundësia më e mirë për t’u përqëndruar tek puna, shkolla dhe tek vetja. Mund të krijosh një regjim të ri më të shëndetshëm, të realizosh çdo përvojë që s’e ke provuar. Ke kohë për t’iu përkushtuar shkollës seriozisht, e ta mbyllësh atë me rezultate të mira, që pastaj të jesh e lirë dhe e qetë me partnerin e ardhshëm.
Cështja e të brendshmeve
Negative: Me shumë gjasa, ke kohë pa e ndjerë veten sexy. Zhartiera ka 5 muaj që rri në dollap, së bashku me të brendshmet e kuqe që i bleve sa qimet e kokës.
Pozitive: A ka vallë në botë diçka më të rehatshme sesa të mos të të duhet të vrasësh trurin për të brendshmet? Për të mos folur për mungesën e higjenës së të brendshmeve sexy por sintetike. Mirëse u kthyet, mbathje pambuku!
Trupi
Negative: Është e lehtë të biesh në depresion kur je single, sidomos kur sapo je ndarë. Ndihesh i shëmtuar, sepse askush nuk të thotë më ‘Sa e bukur je!’. Është nga ai lloj dëshpërimi që të çon në një vetëvrasje me një mbidozë çokollate. Dhe të shtosh në peshë. Dhe t’i lutesh zotit çdo ditë që mos ta takosh atë rastësisht.
Pozitive: Por pas njëfarë kohe, mendja të kthjellohet si me magji dhe fillon të kuptosh se duhet të shkosh urgjentisht në palestër! Ushtrimet fillojnë të japin efekt, jo vetëm nga ana fizike, por mbi të gjitha mendore! Nis të ndihesh më mirë se kurrë dhe mendon, se të paktën për këtë ia ka vlejtur!
Seksi
Negative: Nëse je nga ata njerëz që e kanë të vështirë të kryejnë marrëdhënie me dikë për të cilin nuk ndjejnë, të jesh single është një agoni hormonale.
Pozitive: Nuk do të të duhet të pastrohesh rregullisht. Megjithatë, kjo nuk do të thotë t’a lësh veten krejt pas dore, ë? Lër takim tek estetistja, dhe pastaj, gjuaj!
Botëkuptimi
Negative: Të zbehet aftësia për të menduar në mënyrë afatgjatë për një marrëdhënie. Pra, të humb një prej shqisave më të rëndësishme të jetës prej të rrituri.
Pozitive: Je e lirë t’a drejtosh ditën tënde aty ku do ti. Mbase, mund të bësh ‘mëkate’ sipas parimeve të tua, ndoshta, mund të bëhesh tapë për netë me radhë, por, ndoshta, ti nuk je një i rritur tipik. Fundja, askush nuk mund të të komandojë. A nuk do të thotë të jesh i rritur, të jesh i pavarur?
Emocionet
Negative: Të jesh single është ndjesia më e keqe që mund të përjetosh.
Pozitive: Të jesh single është gjëja më e mrekullueshme.
A nuk mësojmë diçka të vyer nga gjithçka përjetojmë, mbi të gjitha, kur në rrezik vihet shpirti ynë?
Burimi: EliteDaily; Përshtati: Genta Hodo