Në një intervistë për emisionin e pasdites “Rudina”, aktivistja e LGBTQ+ ka rrëfyer ndër të tjera për momentin kur prindërit morën vesh se ishte lesbike.
“Në emision ka qenë. Kam qenë në një emision në 2010 me fytyrë të mbuluar. Kam qenë së bashku me dy mikeshat e mia, njëra shqiptare dhe tjetra amerikane. Prindërit e mi e kanë marrë vesh nga emisioni ku unë kisha dalë me fytyrë të mbuluar dhe diskutoja rreth dashurisë mes femrave. Por gjatë emisionit nuk na ndryshuan zërin dhe ju e dini që zëri është një tipar shumë karakteristik, të identifikon menjëherë. Kështu e morën vesh, nuk është se ia thashë unë hapur. Ka qenë ndër momentet më të vështira të jetës time, sepse unë do përballesha me frikën time më të madhe, që është humbja e mbështjetjes dhe dashurisë së prindërve. Për fat të mirë kam dy prindër të mrekullueshëm, burim i forcës sime. Nuk them që e pritën me kënaqësinë më të madhe. Do isha hipokrite po të thoja të kundërtën. Të gjithë prindërit në botë nuk e presin me ndonjë entuziazëm të madh. Për fat të keq, jetojmë në një komunitet shumë të vogël dhe deri-diku kjo mendoj se i vret prindërit shqiptarë.”
Gjatë emisionit, Karaj përmendi edhe momentin kur ka folur publikisht për orientimin e saj seksual.
"Ai momenti në “Opinion” është momenti i daljes publike. Kur del në televizion kthehesh në faktor. Ka qenë i pamenduar. Ishte një debat për paradën në 2012-n. Para se të shkoja në studio mamaja ime më tha: ‘Të keqen mami mos fol’.”
Intervistën e plotë e shihni në vijim: