Televizioni Vizion Plus do të sjellë në transmetim versionin italian të talent show-t spanjoll 'Tú sí que vales', një konkurs talentesh që ka pasur vitin e parë të transmetimit në Itali, vitin e shkuar. Lajmin e ka bërë të ditur vetë producentja e spektaklit, Holta Kolaneci-Dulaku përmes një postimi në rrjetin social "Facebook".
"Programi është në bashkëpunim mes Endemol dhe Media Vizion dhe do të nisë transmetimin në fillim të marsit, të hënave"- shkroi producentja. Kjo do të thotë se emisioni do të zëvëndësojë të hënat e "Dancing With The Stars", i cili është në javët e fundit të transmetimit.
Por a është "Tú sí que vales" një ide origjinale në ekranet tona?
Vetë Holta Kolaneci shkroi se ky emision është një ide originale duke shkruar në rrjetin social: "Le të vërshojë zilia dhe kopja". E pyetja që ngrihet natyrshëm është: Nëse e ka marrë me të drejta ekskluzive Vizion Plus këtë spektakël, a është diçka e re në ekranet tona?
Në fakt duhet thënë se nuk është hera e parë që në televizionet shqiptare transmetohen konkurse të kësaj natyre, ku në qëndër është talenti. Përpara se ky emision të vijë në Vizion Plus, ka qënë në Top Channel nën siglën "Ti Vlen" që është transmetuar në vitin 2010-të. Gjithashtu Tv Klan ka organizuar konkurse të tilla talentesh ku mund të kujtojmë konkursin e zhvilluar në "E Diela Shqipitare", "Aloha 5000", ku në qëndër ishin të rinjtë me talente në fusha të ndryshme.
Kjo do të thotë se në fakt ideja nuk është origjinale dhe diçka e pa parë më herët në ekranet shqiptare, thjesht është një program në dokumenta, një patentë e marrë nga Endemol.
#showbiz