
Ekspertë ndërkombëtarë po e quajnë rrëmbimin masiv të fëmijëve ukrainas nga Rusia si krimin më të madh të rrëmbimit të fëmijëve që nga Lufta e Dytë Botërore, duke e krahasuar me “gjermanizimin” e fëmijëve polakë nga nazistët.
Që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022, më shumë se 35,000 fëmijë ukrainas dyshohet se janë marrë me forcë nga territore të pushtuara dhe janë dërguar në Rusi. Ata janë rrëmbyer nga jetimoret, nga vijat e frontit pas humbjes së prindërve, apo edhe nga vetë familjet nën presion.
Rusia refuzon kthimin e tyre, duke pretenduar se Ukraina po e përdor historinë e fëmijëve të humbur për përfitime politike.

Vetëm 1,366 fëmijë janë rikthyer deri tani, sipas organizatës ukrainase Bring Kids Back. Shumë prej tyre janë dërguar në kampe ushtarake, janë birësuar nga familje ruse, apo janë mbyllur në jetimore, ku humbin gjurmët e tyre përgjithmonë.
Fëmijët e shpëtuar rrëfejnë se ndaloheshin të flisnin ukrainisht, detyroheshin të këndonin himnin rus dhe të vizatonin flamurin rus.
“Nëse një fëmijë futet në jetimore… është thuajse e pamundur të rikthehet. Humbet përfundimisht,” – thotë Daria Kasyanova, nga Ukrainian Child Rights Network.
Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi urdhra arresti për presidentin rus Vladimir Putin dhe komisioneren për të drejtat e fëmijëve Maria Lvova-Belova, për deportimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.

“Marrja e fëmijës nga një grup etnik dhe integrimi i tij me forcë në një tjetër është krim lufte,” – thotë Nathaniel Raymond nga Universiteti i Yale, i cili ka dokumentuar mijëra raste përmes analizës së databazave, dokumenteve dhe imazheve satelitore.
Ekspertët paralajmërojnë se fëmijët po përdoren si mjete presioni në negociatat e paqes. Rusia, sipas tyre, fillimisht kishte synuar të “rusifikonte” fëmijët përmes kampeve, por më pas filloi t’i përdorte si “pengje” për përfitime diplomatike.
Burimi: The Guardian