U ula afër Kristës, vajzës së Vikena Kamenicës, gjatë shfaqjes se “Karmen ” , në Pallatin e Kongreseve. Në aktin e katërt, kur Don Joze e rrihte Carmen dhe në fund e vret, Kristës i rrëshqisnin lotët, faqeve. Qaj dhe fshi lotët, e vogla, ndërsa e ëma e puthte nga skena.
Mami i Kristës është ylli i operas shqiptare. E qeshura e saj kumbuese e mbushi atë skenë që duket sikur të ha. Zëri i saj e zotëroi hapësirën, që nuk është hapësira e shtëpisë së Operas. Nuk kam njohur një tjetër zë që ta dua aq shumë, sa zërin e Vikenës.
Kur e dëgjoj, kujtoj netët e bukura të Tiranës që ajo i mbushte me xhaz dhe ëndërrime. Nuk e kam pyetur kurrë pse nuk iku, por dua t’i them sot, sa mirë që nuk ike! Ti ishte ylli i Skenës së Kongreseve mbrëmë. Publiku yt ishte më i bukuri që kisha parë në vite. Ti i dhe një natë të bukur Tiranës, nga ato që e bëjnë një qytet, kryeqytet. Kur shoh fotot e Ermonela Jahos që kanë përmbytur Tiranën, me postera, mendoj për Vikenën.
Dhe ne që e pranojmë një talent vetëm kur e konfirmon bota, jo shqisat tona. Ne kemi patjetër nevojë për aprovim ndërkombëtar. Ne nuk e çmojmë dot vetë produktin ” Bërë në Shqipëri”. Ne harrojmë se shpesh më shumë se talenti të bën ambjenti.
Ambjenti të ngre, ose të fundos, të vret nëse nuk të vlerëson, të zbraz, nëse nuk të kupton. E pra nuk ka nevojë të kesh marrë leksione muzike, që të dish se Vikena Kamenica është yll.
E nuk i duhet skena, që ta tregojë veten. Ajo i bën çdo skene. Ajo e bën skenën. E mbush me të qeshurën e saj që ka vetëm gëzim, rini dhe dashuri. Për muzikën, për jetën. Kam qenë me Ermonela Jahon në Verona. E trajtonin si divë, nga asistentja te regjisori. Dhe ajo e shpaloste divën.
Vikena është diva jonë, diva shqiptare që as e bërtet, as e kërkon, as e vuan, mostrajtimin që të bën Shqipëria, kur të ka në xhep. Ia shoh modestinë te e bija që qan në heshtje për mamin që këndon “Karmen” dhe shndërrohet në Vikena, sapo i çojnë vajzën në skenë.
Në mamin më të mirë që mund të dëshirojë një vajzë. Që të mbush me krenari dhe frymëzim, që ta bën të bukur këtë mbrëmje kryeqyteti, që të bën të besosh se ca njerëz të këtij vendi, meritojnë gjithë duartrokitjet tona, gjithë admirimin tonë. Edhe sepse janë thjesht tanët.
Dhe ky nuk është çmim që duhet të paguajnë, që nuk na lanë. Është kurorë që u duhet vënë mbi kokë, sepse nuk na lanë. Nuk na lanë në vetminë e qyteteve me loto e call center, që pa Vikenat do të ishin tashmë qytete të vdekura.
Shkruar nga: Rudina Xhunga në Dritare.net