Kamera e videoklipit të ri të Capital T dhe 2po2 fokusohet tek fytyra e një vajze me flokë bjondë, të prerë fare shkurt.
“Ulu” është një këngë tipike hip-hop me vargje që tregojnë epërsinë ndaj rivalëve, çka zakonisht nuk do të përfshinte një vajzë në videoklip. Por meqë të fortë nuk kanë pse të jenë veç çunat, Capital T dhe 2po2 zgjodhën një vajzë, e cila ka gjithashtu një look shumë cool.
Ndryshe nga më parë, kur në klipe shikoje vetëm vajza me parametra fotomodelesh që luanin rolin e së bukurës që sfilon në rrugë, qesh dhe shikon kameran në dritë të syrit, vajzat e videoklipeve të reja shfaqin më shumë nga karakteri i tyre, duke marrë role më të larmishme, si përshembull rolin e vajzës që është shpirti i party-t, si Sara Kapo tek “Beautiful”.
Me kokën tullace dhe një bluzë të gjerë, Sara kërcen, luan, qesh me të madhe, lyen Florin dhe i bën të gjithë për të qeshur. Siç shkruhet edhe në fillim të klipit: “E bukura gjendet brenda jush”.
Edhe kënga e vjetshme e Young Zerka-s, “Like Rihanna”, i këndon një vajze që është e lirshme, që del nëpër club-e, me një fjalë si tipi i Rihanna-s, që mbahet për natyrën pa komplekse dhe të sinqertë. Modelja në klip ka stilin e Rihanna-s, me flokët e fryrë, shall koke dhe kominoshe, pa asgjë poshtë.
Stili i vajzave të videoklipeve ka më shumë larmishmëri, duke dalë jashtë kornizave të standarteve sipërfaqësore. Pak nga pak, duket se edhe vajzat që në fund të fundit, janë në videoklipe vetëm për t’u dukur, sepse nuk flasin dot, po shfaqin karaktere të veçanta të gruas, që nuk është thjesht e krehur dhe e grimuar sipas trendeve të fundit.