Dy vajza u mbytën të shtunën tek Shkëmbi i Kavajës. Vajza 4 vjeç dhe kushërira e saj Irma Hida, 18, kërkuan të hynin në det për herë të fundit para se të ktheheshin në shtëpi.
'Po bëheshim gati të largoheshim nga plazhi për t'u kthyer në shtëpi', tregon gjyshi i tyre për 'Panorama', 'Vajzat na thanë: 'të futemi edhe një herë në det, përpara se të largohemi'. I lejova dhe i këshillova të mos largoheshin sepse nuk dinin not.'
Të voglën e kishin lënë në duart e kushërirës së madhe dhe më pas kur ato nuk po ktheheshin, familjarët mendonin se mund të kishin ngatërruar rrugën për në çadër.
'Vajza e madhe mbante në duar vajzën e vogël dhe u futën e po luanin në breg të detit. Për një moment u përqëndruam diku tjetër, duke menduar se ndodheshin akoma në breg.'
'Menduam se kishin ngatërruar vendin ku rrinim. Por nuk na shkonte mendja se do të ishin mbytur.'
I pari u gjet trupi i pajetë i 4-vjeçares dhe më pas, pas shumë orësh kërkimi, edhe ai i adoleshentes.
Burimi: Panorama