
Dje Sara Hoxha mblodhi mikeshat e ngushta dhe të afërmet për të festuar: është në pritje për t’u bërë nëna e një djali. Pas një mbrëmjeje me miqtë, festa u transferua në shtëpinë e saj, ku motrat Hoxha dhe shoqet e ngushta shijuan një party me pizhama, ashtu siç festoi Kim Kardashian në prag të lindjes së fëmijës së dytë, Saint West.
Kjo lloj feste, e njohur gjerësisht si “baby shower” është një traditë për gratë shtatzëna në shumë vende të botës, që nga SHBA-të, Britania e Madhe e deri në Bangladesh. Në shoqërinë shqiptare dhuratat dhe urimet janë lënë zakonisht për pas lindjes, sepse ekziston bestytnia se nëse dhuron apo uron para kohe, sjell ters.
Kurse në shumë vende të botës traditat janë shumë herë më praktike. Baby shower organizohet në muajin e shtatë ose të tetë, vetëm me të ftuara femra, të cilat i japin gruas shtatzënë dhuratat për beben që pritet të vijë. Kështu, në ditët e lodhshme pas lindjes nëna dhe bebja mund të qëndrojnë në qetësi.
Por viteve të fundit kjo mënyrë të festuari të mëmësisë po përqafohet gjithmonë e më shumë edhe në Shqipëri. Shumë nëna të famshme kanë organizuar baby shower në javët e fundit të shtatzënisë.
Argjentina Ramosaj festoi pritjen e ëmbël për Noah-n, në një baby shower në maj të vitit të kaluar, ku bashkë me të ëmën pritën dhuratat për fëmijën e saj të parë.
Në korrik të 2015-ës vajza e madhe e Albërie Hadërgjonajt, Agnesa, festoi me motrën dhe miqtë ardhjen në jetë të fëmijës së saj të parë.
Aktorja e humorit Marjana Kondi organizoi bashkë me të bijën, Suanën, një baby shower në nëntor të vitit që shkoi, në pritje të ardhjes në jetë të mbesës së parë të aktores.
Kurse aktorja Teuta Krasniqi u befasua nga mikesha e saj në një festë surprizë, në pritje të fëmijës së saj të dytë. Në këtë festë e pranishme ishte edhe vajza e saj Tara, lindur nga marrëdhënia me Bleron.
Argjentina, Teuta, Agnesa e Suana janë tashmë nëna, ashtu si shumë gra në të gjithë botën që festojnë “para kohe” ardhjen në jetë të një fëmije.