
Dikur, filmat shfaqeshin në kinema duke dhënë shumë pak informacione për publikun, një trailer, ndoshta një poster. Sot, pothuajse gjithçka dihet përpara se të ulesh në sallën e errët. Skenari “rrjedh” në mënyrë të tërthortë, përmes veshjeve, ambienteve të xhirimeve dhe shprehjeve të aktorëve në momente të kapura nga paparacët.
Shembulli më i fundit dhe më tipik? Fillimi i xhirimeve për pjesën e dytë të filmit The Devil Wears Prada. Brenda më pak se dhjetë ditësh, kemi parë tashmë të gjitha kostumet, vendndodhjet dhe kastin e aktorëve.
Vetëm veshjet e personazheve tregojnë shumë për rrjedhën e filmit, duke zbuluar detaje që në të kaluarën do të konsideroheshin spoiler. Anne Hathaway shfaqet me fund xhins, sandale Chanel dhe një çantë vintage nga Coach.
View this post on Instagram
Rikthimi i Andy Sachs duket gjetje. Dhe po, stili i saj tregon qartë se ku ndodhet personazhi në këtë kapitull të ri. Por pyetja është: a donim ta dinim këtë përpara se të shihnim filmin?
Nëse kemi parë tashmë veshjet e personazheve kryesorë, vendndodhjet, atmosferën e skenave dhe kemi lexuar teori që analizojnë çdo detaj të fotove të xhirimeve, çfarë mbetet për të zbuluar? A po humbet magjia e filmit përpara se të shfaqet?
Emocioni që e bëri të paharrueshëm filmin e parë The Devil Wears Prada mbështetej te “nuk dini çfarë po vjen”. Tani, dimë pothuajse gjithçka. Askush nuk mohon kënaqësinë për të parë veshjet e një filmi, por problemi lind kur stili zbulon rrëfimin. Kur çdo çantë apo pallto përkthehet në një kthesë narrative, dhe çdo foto bëhet bazë për teori, para se të kenë mbaruar xhirimet.
Në një epokë ku çdo detaj publikohet në kohë reale, ndoshta është koha të rimendojmë raportin tonë mbi pritjen dhe surprizën. Magjia e një filmi nuk qëndron vetëm në narrativë, por në mënyrën si historia na befasoi për herë të parë, me të gjitha elementët. Dhe ndoshta, për të ruajtur atë emocion të parë, duhet të mësojmë t’i rezistojmë tundimit për të parë gjithçka, përpara se të kemi parë filmin.