
Krypto nuk është qeni më i sjellshëm në filmin e ri “Superman” (me regji të James Gunn), por ai e provon veten që është një partner besnik dhe madje, ka nxitur një rritje shumë të madhe të interesit për adoptimin e kafshëve shtëpiake, sipas trendeve të kërkimeve online.
Kërkimet në Google me fjalinë “Si të adoptoj një qen pranë meje?” u rritën me 513% pas publikimit të filmit në kinematë amerikane gjatë fundjavës së 11 korrikut, sipas aplikacionit të trajnimit të qenve Woofz, i cili analizoi të dhënat e motorit të kërkimit. Kërkimet për “adoptimin e qenushit pranë meje” dhe “adopto një këlysh” u rritën përkatësisht me 163% dhe 31%.
Gjithashtu, Woofz deklaroi në faqen e tij se kërkimet për “adopto një schnauzer”, u rritën me 299%. Kjo është domethënëse sepse, siç shpjegon aplikacioni, Krypto i krijuar me CGI, duket të jetë një përzierje mes schnauzer-it dhe një terrier-i.
Adhuruesit e kafshëve në SHBA, ku gati 6 milionë qen dhe mace janë strehuar në qendra shpëtimi vetëm në vitin 2024, e pritën me entuziazëm shfaqjen e Krypto-s dhe të dhënat e Woofz.
Më shumë se 450 kafshë u adoptuan në SHBA gjatë 10 ditëve të para të korrikut, kur Warner Bros, studioja që publikoi filmin “Superman”, bashkëpunoi me organizatën “Best Friends Animal Society” për të mbuluar tarifat e adoptimit.
Megjithatë, në një deklaratë të raportuar fillimisht nga Wrap, CEO e Woofz, Natalia Shahmetova, theksoi se “adoptimi është një angazhim i vërtetë”.
“Entuziazmi do të bjerë, por qeni yt do të mbetet, ndaj sigurohu që je gati t’i japësh atij kohën, kujdesin dhe trajnimin që i duhet dhe e meriton,” thuhej në deklaratën e saj.
James Gunn ka treguar publikisht se Krypto është frymëzuar nga qeni i tij i shpëtuar, Ozu, të cilin ai e quajti “qeni më i keq në botë”.
Kur e shpëtuan nga një pronar që mbante rreth 60 qen, Ozu nuk i linte James Gunn dhe gruan e tij ta preknin, sepse nuk kishte njohur kurrë qenien njerëzore, tha regjisori.
“Më kafshonte këmbët derisa të më dilte gjak, më hëngri laptopin e ri shumë të shtrenjtë, më kafshoi të gjithë këpucët dhe mobiliet dhe unë thashë: “Faleminderoj Zotin që nuk ka superfuqi”.
Ai ndonëse shprehu mirënjohje për mungesën e superfuqive të qenit, më vonë u frymëzua prej saj. Skanoi Ozu-n në 3D dhe e transformoi që t’i ngjante Krypto-s, që ka një karakter shumë entuziast, shpërqendrohet lehtësisht, nuk dëgjon, por sërish nuk ka frikë të luftojë krah Superman-it.
Pra, nëse do ta dish se si është një qenush që s’para dëgjon, por të do me shpirt (dhe të urresh edhe më shumë Lex Luthor), shih “Superman”.