
Shpesh, mendimet për punën nuk ndalen as kur e fik kompjuterin. Mendja vazhdon të rrotullohet rreth detyrave, afateve apo bisedave të ditës, aq sa nuk arrin të shijosh plotësisht momentet që të përkasin ty: një darkë me miqtë, një mbrëmje relaksuese në shtëpi apo pushimet që i ke pritur gjithë vitin.
Nëse ndihesh sikur nuk arrin dot të shkëputesh nga puna, sado që përpiqesh, nuk je vetëm. Shumë njerëz e kanë të vështirë të ndajnë jetën profesionale nga ajo personale, si dhe të “mbyllin” vërtet ditën.
Këtu hyn në lojë një teknikë praktike dhe shumë e thjeshtë: Metoda STOP - një mënyrë që premton të të ndihmojë të kalosh nga “modaliteti i punës” në atë të jetës së përditshme në më pak se pesë minuta.
Çfarë është metoda STOP?
E rekomanduar nga eksperti i karrierës Dan Bruce, kjo metodë përbëhet nga katër hapa të lehtë, që kanë si qëllim të rivendosin ekuilibrin mes punës dhe jetës personale. Ajo të ndihmon të mbyllësh me vetëdije ditën dhe t’i japësh vetes hapësirën që meriton.
Ja çfarë përfaqëson fjala STOP:
S – Stop & Mbyll (Ritual mbylljeje)
T – Trego fitoret (Ndaj sukseset e ditës)
O – Organizohu mendërisht (Shkarko trurin)
P – Përqendrohu në të tashmen (Kalo në “tani”)
Si zbatohet kjo metodë në praktikë?
S – Mbyll me vetëdije (Stop & Mbyll)
Ashtu si trupi ka nevojë për një rutinë para gjumit, edhe mendja ka nevojë për një “sinjal” që puna ka mbaruar. Ky hap mund të duket simbolik, por është thelbësor.
Shembuj të ritualeve të mbylljes:
Mbyll të gjitha skedat në kompjuter dhe shëno detyrat për nesër.
Rregullo hapësirën e punës.
Çaktivizo njoftimet nga aplikacionet e punës (Slack, Teams, emaili).
Thuaj me zë të lartë: “Puna për sot mbaroi.”
Kjo ndihmon trurin të kuptojë se ka ardhur momenti për të kaluar në një gjendje më të qetë.
T – Trego fitoret (Ndaj sukseset)
Shumë njerëz e mbyllin ditën duke u përqendruar tek ajo që nuk arritën të bëjnë. Ky zakon ul vetëbesimin dhe shton ankthin. Ndaj, përpiqu të fokusohesh në ato që ke bërë mirë:
Shkruaj 2-3 gjëra që shkuan mirë sot.
Kujto një koment pozitiv që ke marrë.
Mbaj një listë apo dosje me reagime që të motivojnë.
Edhe fitoret e vogla kanë rëndësi. Kështu, dita mbyllet me një ndjenjë arritjeje, jo me faj apo presion.
O – Organizohu mendërisht (Shkarko trurin)
Vetëm se kompjuteri u fik, nuk do të thotë që edhe mendja ndaloi. Shpesh, vazhdon të mendosh për punën, çka krijon lodhje të padukshme.
Zgjidhja? Nxirr ato mendime jashtë kokës:
Shkruaj çdo gjë që të rrotullohet në mendje.
Regjistro një mesazh zanor për veten si “memo për nesër”.
Krijo një listë detyrash për të mos i mbajtur mend.
Ky veprim ndihmon për të liruar trurin nga tensioni dhe për t'i dhënë fund "rrjedhës së mendimeve".
P – Përqendrohu në të tashmen (Kalo në 'tani')
Mos u fokusoni vetëm tek çfarë lini pas, por edhe tek ku po shkoni. Ky hap ju ndihmon të zhvendoseni në mënyrë të vetëdijshme nga puna tek jeta personale.
Disa mënyra për t’u kthyer në të tashmen:
Bëni një shëtitje pa telefon.
Bëni disa frymëmarrje të thella dhe të vetëdijshme.
Dëgjoni muzikë, lexoni një revistë ose gatuani diçka që ju pëlqen.
Kaloni kohë me të dashurit tuaj, pa shpërqendrim nga puna.
Sa më shumë të përfshiheni në aktivitetet jashtë punës, aq më lehtë do të shkëputeni mendërisht.
Metoda STOP të mëson të vendosësh kufij të shëndetshëm, të krijosh hapësirë për veten dhe të rivendosësh energjinë mendore.