Deklarata e Enki Bracaj, një nga spikeret topless të TV Zjarr ka nxitur një reagim revoltues nga gazetarja e njohur Beti Njuma.
“Më quajnë Enki Bracaj dhe vazhdoj studimet për Marrëdhënie Komunikimi me Publikun. Jam nga Skrapari dhe jetoj në Tiranë. Kam tentuar pa fund të hyj në botën e televizionit, por kam konstatuar se ka qënë shumë e vështirë. Jam e sigurt se çdokush në vendin tim do e kishte pranuar një ofertë të tillë punë. Shumë vajza e kanë dëshiruar ta bëjnë këtë që po bëj unë, por u ka munguar guximi. Unë e gjeta atë dhe ja ku jam. Askush nuk na zgjodhi për formën e gjoksit”, ka thënë spikerja e TV Zjarr duke shtuar se veshja e tyre është skenike dhe një lloj revolte ndaj mediave në Shqipëri që shiten politikisht sa majtas, sa djathtas.
Nga ana tjetër gazetarja e njohur Beti Njuma shkruan duke ju drejtuar Bracaj se konstatimi i saj jo vetëm nuk është i vërtetë, por krijon përfytyrimin dhe bindjen kryekëput se të gjithë gazetarët/et që ia kanë dalë mbanë në këtë profesion pale ç’kanë bërë.
“E dashur Enxhi, po të them me sinqeritetin më të madh se askush nuk ka bërë nga ato ‘kompromiset’ që nënkupton ti! Përkundazi unë personalisht kam punuar që në 6:00 të mëngjesit vitet e Universitetit në Radio Tirana me honorare qesharake, kam bredhur kudo nëpër Shqipëri kur e ka dashur puna, më kanë hequr nga puna, më kanë future shkopinj nën rrota, kam gjetur shumë dyer të mbyllura e ndonjë më është përplasur surratit por kurrë nuk jam dorëzuar. Kam patur fatin të punoj me profesionistët më të mirë të gazetarisë, jam krenare për rrugëtimin që kam bërë dhe kurrë nuk kam shkelur mbi vete! As ti mos e bëj! Rrëzoji paragjykimet, lexo, mëso, puno, mos u dorëzo e mos harro: Rome wasn’t built in a day! (Roma nuk u ndërtua në një ditë)”, replikon gazetarja Beti Njuma e cila njëkohësisht realizon edhe rubrikën ‘Vitrina e Librit’.