Sonila Meco, gazetarja dhe figura e njohur e Agon Channel dhe ish-moderatorja e " Kontrata" ka postuar në Instagramin e saj një koment lidhur me mos-pjesëmarrjen në darkën e gazetarëve që organizoi kryeministri Edi Rama.
Fillimisht ajo ka lënë të kuptohet se të gjithë ata që bëjnë fjalime kritike gjatë darkës (të ftuar nga Kryeministria) nuk identifikohen si të lirë. Liria sipas Sonilës është të kesh hapësirën ku të shprehësh mendimet e tua gjatë gjithë kohës.
“Të kesh lirinë e pasjes së hapësirës tënde, në vendin tend, sipas afateve të tua... nga këtu nis liria e mendimit....se përndryshe ajo e fjalës nuk zë vend me gjithë qëllimin e mirë në hapësirën, vendin dhe afatet e imponuara nga të tjerët...”, shkruan Meço.
Më pas në një post-scriptum ajo vijon: "E paftuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike,” që tërthorazi lidhet edhe me prerjen e energjisë ndaj Agon Channel, gjë që shënoi dhe zyrtarisht mbylljen e tij (të paktën momentale).
Mesa duket Sonila Meço, një prej gazetareve dhe moderatoreve më të spikatura në vend, nuk shihet mirë nga familja Rama, përderisa mungoi jo vetëm në darkën e gazetarëve me kryeministrin, por edhe në darkën e Linda Ramës kushtuar gazetareve femra. Në atë darkë kishte edhe prezantuese spektaklesh argëtues (jo-gazetarë), edhe spikere lajmesh, edhe gazetarë free-lance dhe shumë prej tyre kanë të njëjtën jetëgjatësi fame dhe suksesi sa Meço.
Por ja që pavarësisht se sa moskokëçarës shprehet kryeministri ndaj kritikave të gazetarëve dhe sa shumë e thekson solidarizimin femëror në darkë zonja Linda Rama, në fund të ditës të dy mbeten dy njerëz të thjeshtë me një listë të zezë në xhep dhe shumë probleme në PR.