
Plastika është një “rrezik serioz, në rritje dhe i nënvlerësuar” për shëndetin e njerëzve dhe të planetit, paralajmëron një raport i ri nga ekspertët. Sipas raportit, bota ndodhet në një “krizë plastike” që po shkakton sëmundje dhe vdekje që nga fëmijëria e deri në moshën e tretë, duke shkaktuar dëme në shëndetësi me një kosto të paktën 1.5 trilionë dollarë në vit.
Shkaku kryesor i krizës është rritja e jashtëzakonshme e prodhimit të plastikës, e cila është rritur mbi 200 herë që nga viti 1950 dhe pritet të trefishohet përsëri, duke kaluar mbi 1 miliard ton në vit, deri në vitin 2060. Edhe pse plastika ka shumë përdorime të rëndësishme, rritja më e shpejtë ka ndodhur te produktet njëpërdorimshe si shishet e pijeve dhe enët e ushqimeve të shpejta.
Si rezultat, ndotja plastike është rritur ndjeshëm, me 8 miliardë ton plastikë që ndotin sot mbarë planetin, që nga maja e Everestit deri në thellësitë më ekstreme të oqeanit. Studimi tregon se më pak se 10% e plastikës riciklohet.
Raporti thekson se plastika përbën rrezik për njerëzit dhe planetin në çdo fazë të ekzistencës së saj: që nga nxjerrja e lëndëve djegëse fosile prej të cilave prodhohet, te prodhimi, përdorimi dhe asgjësimi i saj. Kjo shkakton ndotje të ajrit, ekspozim ndaj kimikateve toksike dhe hyrjen e mikroplastikës në trup. Madje, ndotja plastike mund të rrisë praninë e mushkonjave bartëse të sëmundjeve, pasi uji i mbetur në mbeturina plastike krijon mjedis të përshtatshëm për shumimin e tyre.
Ky raport u publikua në revistën The Lancet, përpara raundit të gjashtë (dhe ndoshta përfundimtar) të negociatave ndërmjet vendeve për të arritur një traktat global mbi ndotjen plastike. Bisedimet janë bllokuar nga përplasjet e mëdha midis më shumë se 100 vendeve që kërkojnë të kufizojnë prodhimin e plastikës dhe vendeve të pasura me naftë si Arabia Saudite që kundërshtojnë kufizimet.
“Ne dimë shumë për gamën dhe ashpërsinë e ndikimeve të ndotjes plastike mbi shëndetin dhe mjedisin,” tha prof. Philip Landrigan, pediatër dhe epidemiolog në Boston College, SHBA, si dhe autor kryesor i raportit. Sipas tij, është thelbësore që traktati për plastikën të përfshijë masa që mbrojnë shëndetin e njerëzve dhe të planetit.
“Njerëzit më të prekur janë ata më të varfër dhe me më pak imunitet, sidomos foshnjat dhe fëmijët,” tha ai. “Kjo sjell një kosto të madhe ekonomike për shoqërinë. Ne kemi detyrimin të veprojmë.”
Vendet e pasura me naftë dhe industria plastike kanë argumentuar se fokusi duhet të jetë te riciklimi dhe jo tek ulja e prodhimit. Por ndryshe nga letra, qelqi, çeliku apo alumini, plastika, për shkak të kompleksitetit të saj kimik, nuk riciklohet lehtësisht. Raporti thekson: “Tashmë është e qartë se bota nuk mund të dalë nga kriza e ndotjes plastike thjesht përmes riciklimit.”
Më shumë se 98% e plastikave prodhohen nga nafta, gazi dhe qymyri. Procesi i prodhimit lëshon 2 miliardë tonë dioksid karboni (CO?) në vit, më shumë se sa emetimet e Rusisë, ndotësja e katërt më e madhe në botë. Prodhimi i plastikës gjithashtu shkakton ndotje të ajrit dhe më shumë se gjysma e mbetjeve plastike të paadministruara digjen në natyrë, duke përkeqësuar ndotjen e ajrit.
Më tepër se 16,000 kimikate përdoren në prodhimin e plastikës, përfshirë mbushësit, ngjyruesit, përbërësit kundër zjarrit dhe stabilizuesit. Shumë nga këto substanca janë lidhur me efekte shëndetësore në çdo fazë të jetës njerëzore, por mungon transparenca se nga cilat kimikate përbëhet çdo produkt plastik.
Analiza zbuloi se fetuset, foshnjat dhe fëmijët e vegjël janë më të ndjeshëm ndaj dëmeve që lidhen me plastikën, me rreziqe të shtuara për abort, lindje të parakohshme, vdekje gjatë lindjes, defekte në lindje, probleme me zhvillimin e mushkërive, kancerin në fëmijëri dhe probleme fertiliteti në të ardhmen.
Mbetjet plastike shpesh shpërbëhen në mikro dhe nanoplastikë, të cilat hyjnë në trup përmes ujit, ushqimit dhe ajrit. Ato janë zbuluar në gjak, tru, qumësht gjiri, placenta, spermë dhe palcë kockash. Ndikimi i tyre në shëndetin e njeriut ende nuk dihet plotësisht, por janë lidhur me goditje në tru dhe infarkte. Studiuesit thonë se nevojitet një qasje parandaluese.
Plastika perceptohet si material i lirë, por shkencëtarët argumentojnë se është e shtrenjtë kur përfshihen dëmet shëndetësore. Një vlerësim për dëmet shëndetësore të shkaktuara vetëm nga tre kimikate plastike, PBDE, BPA dhe DEHP, në 38 vende, kap vlerën prej 1.5 trilionë dollarësh në vit.
Kjo analizë është e para në një seri raportesh që do të ndjekin rregullisht ndikimin e plastikës.
Margaret Spring, juriste e lartë dhe një nga autoret e raportit, tha: “Raportet do t’u ofrojnë vendimmarrësve në mbarë botën një burim të fortë dhe të pavarur të dhënash për të ndihmuar në hartimin e politikave efektive për ndotjen plastike në të gjitha nivelet.”