Gena dhe Sinan Hoxha kanë shumë vite në skenë, shumë. Në këtë rast kemi të bëjmë me dy persona publikë e të suksesshëm, por edhe po të mos ishte kështu, njësoj do të pyesnim “ore sa paguhesh ti”. Këtë tentoi të bënte Fifi në “Shiko kush luan” mbrëmë.
Gena e dha koncertin e tij të parë plot 27 vite më parë – më shumë vite nga ç’kam unë mbi tokë – dhe u pagua me... duartrokitje. “Nuk jam paguar fare sepse atëherë s’ka pasur lekë. Ishim pionerë [të industrisë.]
Mes përgjigjes së tij, Sinani: “Sa koncerte pa lekë kemi bërë ne. Mezi prisnim të dilnim në skenë.”
Sinani nga ana tjetër, e dha koncertin e tij të parë para 20 vitesh dhe pati fat më të keq se Gena. “Kam paguar një shumë shumë të madhe [parash] për të marrë pjesë në koncerti. Jo që s’kam marrë [lekë], por kam paguar për koncertin në Pallat të Kongreseve, sallën, gjërat [sic].”
Ndërsa sot, situata është goxha ndryshe. Gena dhe Sinani udhëtojnë thuajse çdo javë për të performuar diku në botë. Në fjalët e tyre, sot paguhen njësoj. Genës i kërkojnë më së shumit të performojë “Sa lot kam derdhur”, ndërsa audienca e Sinanit s’është kaq e ndjeshme. Publiku i tij vdes për “8 me 2”
Sidoqoftë, nuk pranuan të deklaronin çmimin për koncert, edhe pse Fifi tentoi të hapte rrugë duke thënë sa u pagua nga Sinani për një tekst kënge: 300 euro. Videon e plotë ia vlen ta shihni thjesht për të parë reagimin e Luanës kur Gena thotë që s’është paguar për koncertin e parë dhe reagimin e Sinanit kur Fifi thotë sa e pagoi për tekstin. Por ju e dini, keni jetën tuaj.