Projektligji për faljen e pjesshme të detyrimeve tatimore dhe atyre të pagueshme në doganë parashikon dy lloj faljesh: atë me kushte, dhe atë pa kushte për biznesin. Falja pa kushte dhe ajo me kushte do të ndahen sipas dy periudhave: e para për detyrimet e krijuara përpara 2011-ës, kurse e dyta, për detyrimet pas 1 janarit 2012.
Por tatimpaguesit që tashmë janë dënuar me dënim të formës së prerë nga gjykata për fshehje të ardhurash, evazion ose kontrabandë, nuk do të përfitojnë nga ky ligj.
Ligji pritet të miratohet së shpejti në parlament.
Falja pa kushte
Falja pa kushte do të përfshijë gjobat, por edhe tatimin dhe kamatëvonesat përpara dhjetorit të 2011-ës; por nuk do të falen detyrimet për kontributet shoqërore e shëndetësore, si dhe raste të veçanta. Pa kushte do të falen edhe dënimet për tatimpaguesit që rezultojnë të çregjistruar në QKR/QKB, si edhe gjobat 10 mijë-lekëshe për deklaratat e dorëzuara me vonesë.
Detyrimet tatimore përpara dhjetorit 2011, përfshirë ato që aplikohen në import, do të falen gjithashtu pa kushte.
Falja me kushte
Për detyrimet pas dhjetorit 2011 do të falet vetëm 30% e detyrimit të papaguar, kamatëvonesës dhe gjobës. Në këtë rast, kushti është që 70% e pagesës të bëhet brenda datës 31 mars 2017. Gjithashtu do të falen gjobat për detyrimet e papaguara në import, si: taksa doganore, akciza, taksa e ambalazhit, taksa e qarkullimit, e karbonit, si edhe detyrimet e akcizës pas datës 31 dhjetor 2011. Kushti është që detyrimet të paguhen sërish brenda datës 31 mars.
Njëlloj do të funksionojë edhe për gjobat e mjeteve që kanë hyrë në doganë në mënyrë të parregullt me lejim të përkohshëm; detyrimet e importit, si TVSH-ja dhe interesat e lidhura me to, duhet të paguhen brenda datës 31 mars.
Burimi: “BalkanWeb”