Greta, vajza më e vogël e familjes Kokoshi, ishte e ftuara e radhës në rubrikën “Ka njëmesazh për ty” tek “E diela shqiptare”. Vajza simpatike me sindormën Doën u ftua në studio nga Rezarta, motra e madhe, që donte t’i shtronte disa kërkesa dhe në këmbim do t’i bënte një surprizë.
Kërkesat e Rezartës ishin të thjeshta dhe shumë dashamirëse, kërkesat e dikujt që dëshiron të ndihmojë motrën të kalojë çdo barrierë që mund të shoqërojë sindromën Down. “Dua t’i kushtosh më shumë vëmendje trupit, të dalim nga liqeni në mëngjes, të bëjmë vrap,” iu drejtua ajo Gretës, që ra dakord, megjithëse kjo mund të bëhej, vetëm nëse zgjimi ndodhte në orën nëntë, jo më herët!
Për këtë, erdhi në ndihmë dikush i prezantuar si Agron Hyka, instruktor palestre që do ta motivonte Gretën dhe do ta shndërronte në një yll. Greta fillimisht u step nga pamja e tij, flokët e gjata bjonde, mjekra, mustaqet dhe hiperaktiviteti në të folur, vetëm për të zbuluar më pas se ai ishte Landi i WSF, njëkohësisht dhe idhulli i saj më i madh.
Ajo u përlot ndërkohë që Landi e ngriti në krahë me dashamirësi dhe i dha disa këshilla të vlefshme. “Unë të uroj gjithë të mirat edhe të mos dorëzohesh asnjëherë për asgjë. Dhe mos lejosh askënd të të flasë ndryshe: siç më flasin mua, të të flasin dhe ty, t’i flasin të gjithëve. Sepse të gjithë kemi aftësi të veçanta. Dhe asnjëherë mos u dorëzo,” përfundoi Landi, që më pas e surprizoi edhe më tej me një interpretim në studio të njërës prej këngëve të preferuara të Gretës “Në krahët e tua do jem”.