Në kopertinën e radhës të të përjavshmes “Grazia”, këngëtari i famshëm italian Tiziano Ferro ka rrëfyer disa nga çështjet më intime të jetës së tij, siç është homoseksualiteti dhe planet e së ardhmes. Ferro si asnjëherë më parë, ka folur hapur rreth përjetimeve dhe sfidave me të cilat i është dashur të përballet.
“Ka patur disa çaste në jetën time ku jam bërë gati të heq dorë nga gjithçka për shkak të stresit që kam kaluar. Përpiqesha shumë të përshtatesha, të krijoja shoqëri, por në fund të ditës, nuk isha i lumtur. Kur isha 28 vjeç, nisa seancat tek psikologu sepse nuk po jetoja dot më. Brenda 2 vitesh kuptova që isha homoseksual dhe në kulmin e karrierës vendosa t’ja tregoja të gjithëve këtë.”- tregon ai.
I pyetur nëse aktualisht është në një marrëdhënie apo vetëm, ylli i “Sere Nere”, është përgjigjur: “ Nuk mërzitem nëse nuk vjen. Nuk jam në kërkim të historive kalimtare. Nuk kam qenë kurrë kështu. Pjesën më të madhe të jetës e kam kaluar duke menduar se kurrë nuk do të martohem, por tani e mendoj seriozisht.”
Tiziano tregon gjithashtu se kohë më parë, përpiqej të dilte me vajza dhe ta hiqte nga mendja idenë e të qenit homoseksual. Por më vonë, ai tregon se kuptoi se dashuria aq e madhe që ndiente për gratë, ishte pikërisht nga fakti që ishte gay dhe këtë filloi t’ja thotë vetes më shpesh.