Të mërkurën, reperi T.I. shokoi gjithë botën kur zbuloi se çdo vit, shoqëron të bijën, Deyjah, të gjinekologu për të parë në “himeni i saj është i paprekur.”
“Shkojmë, ulemi, mjeku vjen dhe na përshëndet, ruan një nivel të lartë profesionalizmi,” tha reperi 39-vjeçar për podcastin Ladies Like Us. “Më thotë, ‘Zotëri, që të ndaj me ju këtë informacion, duhet të...’ Dhe unë pyes, ‘Deyjah, duhet të firmosësh këtu që mjeku të më informojë. Ka ndonjë gjë që s’duhet ta di unë? E sheh doktor? S’ka asnjë problem.”
Më pas, T.I. pranoi se himeni mund të çahet në një sërë mënyrash, përveç seksit – si për shembull, duke kalëruar, duke i dhënë biçikletës apo duke bërë gjimnastikë. Sidoqoftë, ky fakt nuk e ndaloi aspak. “I them, ‘Shiko doktor, ajo as kalëron, as i jep biçikletës, as luan sporte. Thjesht kontrollo himenin dhe më jep rezultatin sa më shpejt të jetë e mundur.” Kur u pyet në e trajtonte njësoj djalin e tij 15-vjeçar, T.I. tha jo. Madje, ishte në dijeni se djali ishte seksualisht aktiv dhe kjo s’e shqetësonte fare.
Fjalët e T.I. duken sikur u thanë posaçërisht për të irrituar internetin dhe atë bënë. Plot njerëz thanë se procedura është qartazi cënim i të drejtave dhe privatësisë së një 18-vjeçareje që në sytë e ligjit është adulte. Të tjerë u fokusuan te fakti se T.I. është hipokrit ngaqë bën çmos të sigurohet që e bija mos të bëjë seks, por s’e ka problem që djali fle lartë e poshtë.
Paçka se deklaratat e T.I. ishin të tmerrshme, për fat të keq nuk kemi të bëjmë me një rast të izoluar. Virgjëria testohet në gjithë botën dhe historikisht, është përdorur për të ndëshkuar, torturuar apo edhe vrarë, vajza dhe gra.
Zakonisht, virgjëria testohet me ndihmën e dy gishtave, që mjeku i fut në vaginën e një gruaje për të parë në himeni i saj është i paprekur. Edhe pse himeni i paprekur nuk përkthehet në mënyrë të pamohueshme në virgjëri, plot kultura në botë, si në Turqi, Indi, Egjipt dhe Afrikën e Jugut, testi përdoret për të përcaktuar në një vajzë është material martese a jo. Në Indonezi, testi përdoret për të përcaktuar në aplikantet femra janë të denja për të qenë pjesë e forcës policore.
Ato që nuk kalojnë këtë test qesharak, shpesh përballen me pasoja të rënda. Në Afganistan, ku seksi paramartesor është krim, vajzat dhe gratë që nuk e kalonin testin e virgjërisë mund të dënoheshin deri me tre muaj heqje lirie. Ligji u shfuqizua në 2018-n. Në raste ekstreme, vajzat me himen të çarë vriten nga familja sepse njollosin nderin.
Ngaqë s’është një metodë e saktë shkencore dhe ngaqë s’është praktikë etike, organizatat për të drejtat e njeriut kanë kërkuar ndalimin e testimit të virgjërisë përmes himenit. Në 2018-n, Kombet e Bashkuara, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetit e quajtën praktikën “dhunim të të drejtave të vajzave dhe grave që dëmton mirëqenien e tyre fizike, psikologjike dhe shoqërore.”
Përshtatur nga Rolling Stone