
Gjatë një interviste në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus, këngëtarja Alida Hisku foli për jetën e saj, ikjen nga Shqipëria, por edhe rikthimin e një prej këngëve të saj përmes Tayna-s.
Kënga “Thana” e Tayna-s, e cila u publikua pak muaj më parë, arriti të kishte shumë sukses. Suksesi erdhi edhe falë vargjeve dhe zërit të përdorur në këngë. Kënga e saj fillonte me zërin e Alida Hiskut, teksa ajo këndonte këngën “Vajzat e fshatit tim”.

Gjatë intervistës që zhvilloi ditën e djeshme, Alida Hisku ndau më shumë detaje nga momenti kur kjo ide iu propozua deri te "shpërblimi" që asaj iu dha në këmbim.
"Dikush, Tayna ose si të them unë, menaxherët e Tayna-s, i kishin treguar për këtë këngë të bukur shqiptare që 50 vjet akoma këndohet nga tre breza. Dhe biznesi, siç është sot dihet, se ne, shqiptarët e brezit tim, nuk punojmë për biznes. Biznesi atë e futi që të merrte pak a shumë edhe publikun tim të Shqipërisë, edhe publikun e Kosovës, menduan që të merret kënga ime si fillim. Pra, si punë karremi.”

Pasi kjo ide ishte diskutuar, Tayna e telefonoi për t’i komunikuar dhe propozuar një bashkëpunim.
“Edhe më merr në telefon Tayna edhe më thotë: ‘Alida, dua të bëj këngën tënde dhe do të marr një pjesë nga zëri yt.’ M’u duk… e pashë në dy aspekte. Si konkurrencë unë nuk shikoj asnjë lloj këngëtareje, sepse, thashë edhe një herë, unë jam e një brezi tjetër. Unë marr qëllimin, nuk marr interesat personale.”

Sipas saj, qëllimi i vetëm që ajo kishte ishte që një këngë shqiptare të shkonte te publiku i Kosovës, siç u shpreh edhe vetë, suksesi nuk i interesonte aspak. Më pas, Tayna i kërkoi numrin e telefonit të kompozitorit të këngës, Enver Shëngjergjit, dhe tekstshkrueses Zhuliana Jorganxhi. Më vonë, pas dy javësh, Tayna i kishte dërguar 250 euro.
Kur u pyet se si u ndje kur mori atë shumë, ajo tha se nuk ndjeu asgjë, sepse nuk ia kishte shitur këngën, por ia kishte dhuruar. Sa i takon parave që mori, i konsideroi si një simbol, por mendoi se më shumë duhej t’i jepeshin kompozitorit, i cili jeton në Shqipëri me një pension të vogël, si dhe tekstshkrueses së këngës, duke qenë se janë në moshë të vjetër.
“Por mua nuk më ngre as nuk më ul," tha ajo.
Kur u pyet nga moderatorja nëse do t’i kthente lekët nëse do të kishte mundësinë, ajo u shpreh se do ta bënte.
View this post on Instagram


