Teksa përhapja e Covid-19 nuk ka resht, në gjithë botën njerëzit po përpiqen të kuptojnë si duhet të sillen – dhe këta njerëz përfshijnë dhe të famshmit.
Disa emra të njohur, si Idris Elba dhe Tom Hanks, po ndajnë me botën përvojat e tyre pasi u diagnostikuan me virusin dhe plot të tjerë po ndërgjegjësojnë ndjekësit mbi situatën. Sidoqoftë, disa të famshëm nuk po bëjnë gjënë e duhur me platformat e mëdha që kanë në duar. Më 19 mars, një video e Gal Gadot dhe dhjetëra të njohurve të tjerë që këndojnë “Imagine” u bë virale dhe u kthye në shakanë e ditës sepse ishte e pandjeshme dhe e padobishme. Si na ndihmon një video e pasanikëve të Hollywood-it kur njerëzit po humbasin të afërmit çdo ditë? Së fundi, një tjetër emër i njohur është në qendër të vëmendjes për reagimin e papërshtatshëm ndaj pandemisë: Rita Ora.
Më 19 mars, Rita Ora njoftoi lançimin e bluzave për koronavirusin, një togfjalësh që s’na e merrte mendja se do ta shkruanim ndonjëherë. Koleksioni i bluzave me mëngë të shkurtra dhe atyre me kapuç ka dizenjon e virusit që shkakton Covid-19 me shenjën e paqes të mbivendosur dhe frazën: “Parandaloni përhapjen, bëni pjesën tuaj.” Sipas këngëtares, koleksioni është bashkëpunim me Fondacionin e Kombeve të Bashkuara dhe Organizatën Botërore të Shëndetit dhe të gjitha fitimet shkojnë për Covid-19 Solidarity Response Fund, që ndihmon punonjësit e shëndetësisë me pajisje thelbësore dhe financon studimin e virusit dhe gjetjen e një vaksine. Rita Ora tha në Instagram se synimi i bluzave ishte “ndërgjegjësimi i masave.”
View this post on Instagram
Një përdorues i Tëitter-it shkruajit në lidhje me situatën: “Këto bluza po i bëjnë rrobaqepëse që punojnë në kushte të rrezikshme.” Dhe një tjetër shtoi: “Në vend që të dhurojë, ajo po nxjerr në treg bluza të pandjeshme që thjesht do të përfundojnë në plehra që t’i blejnë njerëz që janë vetë në gjendje të vështirë.” Dhe në fakt, si supozohet të ndërgjegjësojmë të tjerët duke veshur bluza me simbolin e koronavirusit kur askush s’do i shohë. Supozohet të jemi në shtëpi. Kur të mbarojë e gjithë gjendja, askush s’do të vijë vërdallë me simbolin e pandemisë në gjoks, prandaj do të përfundojnë në plehra.
Lufta kundër koronavirusit është një luftë e përbashkët. E duartrokasim Rita Orën që po përpiqet dhe që do të dhurojë të gjitha fitimet nga shitja e bluzave, por s’mund të mos themi se reagimi është i papërshtatshëm. Bizneset e vogla janë detyruar të mbyllin dyert, njerëzit po humbasin punën, spitalet s’kanë më maska dhe ventilatorë, xheli antibakterial zor se gjendet kund dhe këto janë vetëm disa nga gjërat që po kërcënojnë jetën që jemi mësuar të bëjmë. Ndoshta bluzat duken si një ide e mirë, por Rita duhet t’i kishte bërë vetes disa pyetje: “Kush po i bën këto bluza? A paguhen mjaftueshëm? A kanë të drejtë të shkojnë në shtëpi nëse s’ndihen mirë? A dëmtojnë mjedisin? Do të ishte më e thjeshtë t’u kërkonte njerëzve të dhuronin sa të mundeshin ose duke qenë se vetë ka mundësi, të dhuronte ajo e para dhe ndjekësit – në kuptimin e parë të fjalës – të ndiqnin shembullin e saj.
Burimi: Teen Vogue