
Ndërsa po afrohet fundi i vitit 2025 dhe shekulli XXI po hyn në çerekun e tij të dytë, Quentin Tarantino vlerësoi filmat e tij të preferuar të 25 viteve të fundit.
Regjisori, 62 vjeç, u shfaq në podkastin “The Bret Easton Ellis”, më 2 dhjetor, për të diskutuar filmat e tij të preferuar me autorin dhe skenaristin Bret Easton Ellis, i njohur për romanin e vitit 1991 “American Psycho”.
Tarantino zgjodhi një film që disa admirues të filmave mund ta gjejnë befasues si filmin e tij më të mirë të shekullit deri tani: dramën e luftës “Black Hawk Down” (2001) të Ridley Scott.

“E pëlqeva kur e pashë për herë të parë, por mendoj se ishte aq intensiv saqë nuk funksionoi për mua. Nuk e përthitha siç duhej”, tha Tarantino.
“Black Hawk Down” bën bashkë Ewan McGregor, Josh Hartnett, Eric Bana, Tom Sizemore, Jason Isaacs, Tom Hardy, Orlando Bloom dhe yje të tjerë, të cilët janë pjesë e një grupi ushtarësh amerikanë, helikopteri i të cilëve rrëzohet gjatë një beteje vendimtare në luftën civile në Somali në vitin 1993. (Filmi fitoi dy Oscar në vitin 2002 për Audion dhe Montazhin).
Tarantino e përshkroi “Black Hawk Down” si “i vetmi film që shkon plotësisht drejt një atmosfere dhe qëllimi në stilin e “Apocalypse Now”, me të gjithë efektin vizual dhe ndjesinë që sjell. E pashë sërish kohët e fundit; zemra më rrihte për aq sa zgjati filmi. Më kapi kjo ndjesi dhe nuk më la për asnjë çast,” shtoi ai.
Ky film është përballur jo pak me kritika nga adhuruesit e kinemasë, duke ngjallur debate të shumta në rrjet, por mesa duket, për regjisorin e “Pulp Fiction” është i përsosur.
Tarantino renditi gjithashtu dy filma shumë të dashur (edhe pse jo patjetër të ngjashëm) si të dytin dhe të tretin e tij në 25 vitet e fundit: “Toy Story 3”, filmi i tretë i sagës së Pixar “Toy Story”, si dhe dramën e Sofia Coppola-s të vitit 2003, “Lost in Translation”.

“Ato pesë minutat e fundit ma shkulën zemrën dhe nëse provoj ta përshkruaj fundin, do filloj të qaj me ngashërima,” tha ai për “Toy Story 3”.
Sa i përket “Lost in Translation”, Tarantino tha:
“Nuk kisha parë një film kaq vajzëror prej shumë kohësh, në kuptimin, të bërë kaq mirë”.
Përtej “Black Hawk Down”, “Toy Story 3” dhe “Lost in Translation”, Tarantino renditi edhe këta filma në listën e tij të top 10 filmave të shekullit XXI deri tani:
“Dunkirk”
“There Will Be Blood”
“Zodiac”
“Unstoppable”
“Mad Max: Fury Road”
“Shaun of the Dead”
“Midnight in Paris”
Vetë Quentin publikoi filmin e tij të fundit në vitin 2019, “Once Upon a Time... in Hollywood” me Brad Pitt, Margot Robbie dhe Leonardo DiCaprio.

