
Zakonisht je ose personi që lëviz vazhdimisht këmbën, ose ai që irritohet shumë nga ata që e bëjnë këtë veprim në zyrë, pasi rrallë ka një zgjidhje të mesme.
Ky veprim përshkruhet si zakoni i lëvizjes së shpejtë të njërës këmbë, ndërsa jeni ulur. Mund të bëhet në mënyrë delikate ose aq intensive sa të tjerët përreth jush i ndiejnë dridhjet, për shembull në një zyrë ose në autobus.
Zakonisht, as vetë nuk e kuptoni se po e bëni, derisa dikush jua vë në dukje.
Pse po ndodh?
Sipas Dawn Templeton, një këshilluese e shëndetit mendor, ky veprim shkaktohet nga grumbullimi i hormoneve të stresit, siç janë adrenalina dhe kortizoli. Trupi përgatitet të "luftojë ose të ikë" nga kërcënimi, dhe kjo energji çlirohet përmes lëvizjeve të tilla.
Po ashtu, psikologia Catherine Huckle shpjegon se kur nuk mund ta çlirojmë dot energjinë që kemi, lëvizja e këmbës bëhet një formë shkarkimi.
“Mund të na ndihmojë të qetësohemi kur ndihemi të tensionuar.”
Gjithashtu, njerëzit hiperaktivë janë më të prirur ndaj këtij zakoni.
Lajmi i mirë është se lëkundja nuk e dëmton trupin, përveçse i sforcon pak muskujt. Edhe nëse lëkundni vetëm njërën këmbë, nuk do të shkaktojë probleme me qëndrimin ose shpinën.
Si ndalet?
Ashtu si me çdo reagim natyror ndaj stresit, zgjidhja është zvogëlimi i tij, përmes kujdesit për veten, apo edhe terapisë. Nuk është një zakon i keq, por nëse e vini re kur ju ndodh dhe provoni ushtrime frymëmarrjeje ose metoda të tjera relaksimi, mund të jeni në gjendje ta mposhtni atë.
Ndonjëherë dridhja apo lëkundja bëhet zakon, dhe pastaj duhet kohë dhe përpjekje për ta frenuar atë.
Michael Durtnall shton se tundja e këmbës është një sinjal se duhet të bëjmë aktivitet fizik. Ne nuk jemi të projektuar për të qëndruar ulur për periudha të gjata kohore.
Nëse nuk bëni ushtrime fizike, filloni. Ushtrimet zvogëlojnë stresin, përmirësojnë humorin dhe ndihmojnë në zvogëlimin e dridhjeve/tundjeve të gjymtyrëve.