Gjatë një monologu në emisionin e tij “Provokacija”, Mustafa Nano ironizoi këngën e Rovena Dilos, “Cinderella”, me të cilën konkurroi në “Këngën Magjike”. Ai e quajti tekstin e këngës “si mizerabël” (e mjerë, e varfër në vlera artistike).
“Rovena Dilo duhet të dijë që muzikën shqiptare janë duke e dëmtuar edhe disa këngë të tjera jo nëpërmjet vijës së tyre melodike, por nëpërmjet teksteve të këtyre këngëve dhe Rovena Dilo, ndonëse shumëkush ka pritur të bëjë diferencën në kompeticionin e Këngës Magjike, në këtë drejtim ajo nuk e ka bërë këtë diferencë. Ajo ka kënduar një këngë me tekst mizerabël."
Nano e ilustron deklaratën e tij me këtë pjesë të tekstit: “Po dukesh si hard killa/kur po vjen veshur me k’to stilla/ jena shumë nalt për këto dilla/ Baby t’boj mu ndi Cinderella,/Kur bohet fjalë për money."
“E kam bërë edhe herë të tjera, ka momente që mendoj se tekste të tilla duhet të fshihen, apo duhet të konsiderohen si kundravajtje penale. Ka momente…nuk është se e mendoj gjithë kohën. Në këto momente unë i shoh këto tekste si një atentat që i bëhet kulturës shqiptare, por edhe në përgjithësi. I shoh si një fyerje që i bëhet inteligjencës shqiptare, i shoh si një atentat që i bëhet gjuhës shqipe,” shtoi ai.
Deklaratës së tij iu përgjigj Hit Man, një nga djemtë që këndon “Cinderella”. Postimi i tij tashmë rezulton i fshirë, por kolegët e Blitz.al arritën ta merrnin copy-paste në kohë.
“Mustafa Nano na paska bërë një analizë mbi këngën Cinderella. Ky Mustafai po na flet për tekste këngësh, kur nuk e ka as idenë më të vogël ç'ndodh me muzikën botërore. S’ke faj Mustafa se gjithë kohën je i zënë duke lëpirë sa lartë e poshtë ‘PARTINË MËMË’ që të hedh ndonjë kockë.
Mustafa, muzika ka ndryshuar nuk është ajo që dëgjoje në kohën e xhaxhit. Mustafa është muzikë clubi kjo e Cinderella-s, është muzikë për rininë, nuk është muzikë qebaptoresh që frekuenton ti. Nuk është një paçavure si ai emisioni yt që sot e mora vesh që ekzistonte. Show Mani i dështuar po na flet për Shqipërinë e vlerat shqiptare ama në të vërtetë emisioni ku ai na bëri analizën titullohet PROVOKACIJA (serbisht).
O Zot…!Ja ky i bën Rovena Dilos dhe Hit Man & Rolla, analizë. Mustafa je dështak në çdo lloj aspekti, në cdo fushë që je angazhuar ti ke dështuar. Askush nuk ka respekt për ty o i mjerë. Ti do na bësh analizën ne?!”
Në postimin e fshirë, Rovena komentoi: “E ke myt Hitman! O shqiptar i bukur dhe i pastër.”