
Shqipëria është tronditur këtë të martë, 1 korrik, nga një ngjarje e rëndë e regjistruar në një fshat të Patosit. Një vajzë 12-vjeçare është përdhunuar nga babai i saj në mënyrë të vazhdueshme.
Dëshmia e të miturës dhe zbardhja e të vërtetës
E mitura është larguar nga banesa e saj në orët e para të mëngjesit, në tentativë për t’i shpëtuar të atit, duke ikur me vrap në banesën e fqinjëve. Sapo ka mbërritur aty, fqinjët kanë lajmëruar policinë dhe vajza e mitur është marrë në pyetje.
Ajo ka deklaruar se i ati ka kryer marrëdhenie seksuale me forcë me të, ndaj dhe është larguar nga shtëpia. Por ngjarja bëhet edhe më tragjike, pasi gjatë dëshmisë ajo rrëfeu se kjo situatë ka vazhduar për 7 vite. Sipas dëshmisë, ajo është abuzuar seksualisht nga i ati që nga mosha 5-vjeçare në mënyrë sistematike.
Dëshmia e të atit
Autori i krimit, 36-vjeç, është shoqëruar nga uniformat blu, gjatë fazës hetimore. Në dëshminë e tij, ai ka pohuar se ka kryer marrëdhënie seksuale me të bijën, por ka nënvizuar se akti monstruoz ka ndodhur vetëm një herë.
Nga ana tjetër, ekzaminimet mjekësore kanë konfirmuar abuzimin seksual.
Dëshmia e nënës së të miturës
Nëna e të miturës ka deklaruar për disa media në vend se ka mësuar të vërtetën, pas dëshmisë së të bijës në polici, duke theksuar se nuk ka qenë në dijeni të abuzimit seksual. Ajo shtoi se e bija kishte shfaqur shenja agresiviteti dhe depresioni, por nuk kishte rrëfyer kurrë se ishte abuzuar.
“Jam nënë e 7 fëmijë 5 djem 2 vajza. Në orën 4 më njofton vajza e dytë që vajza e madhe ka ikur nga shtëpia. Njoftova policinë, policia gjeti vajzën dhe vajza kishte treguar që babai e kishte përdhunuar. Vajza i ka treguar të gjitha, është vetëm 12 vjeçe.
Nuk kisha kuptuar asgjë, vajza nuk më kishte thënën asgjë. Vetëm e shihja të acaruar dhe zihej me vëllezërit e motrat. Kishte kaluar në depresion derisa u detyrua të largohej nga banesa.
Kishte shkuar tek një fqinjë, e cila e kishte ushqyer dhe më vonë kishin njoftuar policinë,” tha ajo.
Po ashtu, ajo kërkoi që bashkëshorti i saj të dënohet maksimalisht për këtë krim monstruoz.
“Një njeri që përdhunon fëmijën, të marrë dënimin maksimal të kalbet në burg, Unë nuk e dua. Do bëhem e fortë për fëmijët e mi. Nuk kisha kuptuar asgjë. Në sytë e mi nuk bënte kurrë asgjë”, shtoi ajo.
Kjo ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në vend, teksa qytetarët kërkojnë dënim maksimal për përdhunuesin.
Shënim: Për të mbrojtur identitetin e të miturës që ka qenë viktimë e abuzimit seksual, në artikull nuk janë përmendur emrat e personave të përfshirë.