Pëllumb Pipero, i ftuar mbrëmjen e djeshme në Opinion, shpjegoi fenomenin e rasteve të shtuara të ditës së djeshme. Pavarësisht numrit të lartë, epidemiologu tha se situata nuk është shqetësuese, por thjesht na tregon të kemi kujdes.
“Pas relaksimit të masave shtrënguese presim shtim të rasteve pozitive, por kemi parasysh se jo të gjithë janë të sëmurë. Rastet e sotme shumica janë 15 raste në një fasoneri. Kemi një person me simptoma, ai ka patur kontakte, kontakte të kontakteve gjithashtu, janë 3 faza kontaktesh. Është një sinjal që na thotë të kemi kujdes, por nuk më shqetëson, sepse në fund të fundit është ekspozim dhe në këtë fazë ekspozimi ka një anë shumë të mirë, sepse krijon imunitet.
Nëse kemi 25 raste kemi 3 të shtruar në spital. Dhe ky nuk është tregues për t’u shqetësuar, është tregues që na thotë se duhet të kemi kujdes. Do të ishte shumë mirë që deri në fund të kësaj pandemie të kishim 30-40% të popullatës ekspozuar."- u shpreh Pipero i cili i këshilloi njerëzit që të përpiqen të qëndrojnë sa më pak gjatë takimeve me njëri tjetrin.
Përsa i përket asaj që pritet të ndodhë gjatë verës me numrin e të infektuarëve, mjeku është sërish optimist. Sipas tij, rastet do të jenë sporadike, ose nuk do të ketë fare.
"Vera do ketë raste sporadike ose aspak fare. Prandaj kam këshilluar që është më efektive që të gjurmojmë rastet që kanë klinik dhe t’ju bëjmë tamponin dhe në rast se kanë probleme dhe ti shtrojmë në spital. Kontaktit të ngushtë mund t’i bëjmë tampon. Dua të them se rastet pozitive nuk më shqetësojnë ekspozimi nuk më shqetëson, përkundrazi ekspozimi na ndihmon të përforcojmë i imuitetin."