
Në ditët e Panairit të Librit duket se te secili përforcohet dëshira e leximit. Atmosfera e stendave të mbushura me tituj të rinj, aroma e letrës dhe zhurma e zërave që flasin për libra, e kthejnë këtë ngjarje në një festë të vërtetë për dashamirësit e letërsisë. Është koha më e bukur e vitit për të zbuluar autorë të rinj, për të gjetur librin që të shoqëron gjatë dimrit, apo për të zgjeruar bibliotekën personale me histori që frymëzojnë, tronditin e ngushëllojnë njëkohësisht.
Këtu gjeni 5 sugjerime librash që mund të blini në këtë panair në stendën e shtëpisë botuese “Living”: 5 tituj që përfaqësojnë më mirë letërsisë bashkëkohore, të huaj dhe shqipe, por edhe klasike; histori që prekin, frymëzojnë dhe mbeten gjatë në kujtesë. Secili prej tyre është një biletë arratie për të hyrë në një univers të ri dhe këtë nëntor, “Living” i bën të gjithë bashkë!
Mos mungoni në Panairin e Librit, Pallati i Kongreseve, nga data 12 deri në 16, për të zbuluar titujt më të rinj, për të folur rreth tyre dhe për të ndarë dashurinë për letërsinë.
1. “Miku i vogël” nga Donna Tart, përkthyer nga Oriana Tamburi

Një libër i destinuar të bëhet një lloj i veçantë klasiku. Nga autorja fituese e çmimit “Pulitzer” me librin “Gardalina”, dhe e librit shumë të shitur “Historia sekrete”, vjen një roman krejtësisht magjepsës, ngjarjet e të cilit zhvillohen në Misisipin e fëmijërisë, të pafajësisë dhe të ligësisë.
Ngjarjet zhvillohen në Aleksandri, Misisipi, ku një djalë i vogël me emrin Robin Kleve Dyfresnes gjendet i varur në një pemë, në oborrin e shtëpisë. Dymbëdhjetë vjet më vonë, vrasja e Robinit është ende e pazgjidhur dhe familja e tij është e shkatërruar. Kështu, motra e tij, Herrieta, një vajzë tejet e zgjuar, e ndikuar nga letërsia e Kiplingut dhe e Robert Luis Stivensonit, vendos të zbulojë vrasësin e të vëllait. E ndihmuar vetëm nga shoku i vet, Hili, Herrieta kalon kufijtë e ngurtë racorë e klasorë të qytetit të saj dhe gërmon thellë në historinë e humbjes së familjes.
I mbushur me kthesat e mprehta të komplotit dhe “sjellje plot gjallëri e qesharake, të denja për Dikensin” (The New York Times Book Review), libri “Miku i vogël” është një vepër që mbart shumë magji, nga një shkrimtare me talent të jashtëzakonshëm.
2. “Kushërira ime, Rejçëlli” nga Daphne du Maurier, përkthyer nga Vikiana Kovaçi

Daphne du Maurier është rrëfimtare e shkëlqyer, qëllimi i vetëm i së cilës është të magjepsë dhe të luajë, dhe në librin “Kushërira ime, Rejçëlli”, ajo i bën të dyja. - New York Times
Një nga shkrimtaret më të mira në botë, Daphne du Maurier sjell një histori të errët pasioni dhe dashurie joreciproke, që shumë shpejt kthehet në dyshim dhe frikë. Rejçëlli, një grua me bukuri të pashoqe, shkon në pronën e mrekullueshme të Filip Eshlit, në Kornuoll. Pavarësisht se i ngacmuar nga dyshimi, shumë shpejt, ai magjepset prej saj.
Në këtë rrëfim për të mirën dhe të keqen, Filipi duhet të vendosë nëse e veja misterioze e kushëririt të tij të dashur është duke e shkatërruar, apo është viktima e pafajshme e njeriut djallëzor që e dashuron. Fati dhe e ardhmja e Filipit varen nga kjo pyetje vrastare.
3. “1984” nga George Orwell, përkthyer nga Durim Taçi

Një libër më i përshtatshëm për kohën e sotme sesa pothuajse çdo libër tjetër që mund të mendoni. Historia e një prej romaneve më të njohura, “1984” i George Orwell-it, zhvillohet në një shoqëri të terrorizuar nga një ideologji totalitare e përhapur nga Partia.
Uinston Smithi punon për Ministrinë e së Vërtetës, në Londër. Vëllai i Madh vëzhgon nga çdo poster dhe Policia e Mendimit zbulon çdo akt tradhtie. Kur Uinstoni gjen dashurinë me Xhulian, zbulon se jeta nuk ka pse të jetë e mërzitshme dhe vdekjeprurëse, dhe bëhet më vigjilent ndaj mundësive të reja. Pavarësisht nga helikopterët e policisë që fluturojnë mbi kokat e tyre, Uinstoni dhe Xhulia fillojnë të vënë në dyshim Partinë dhe të tërhiqen nga konspiracioni. Megjithatë, Vëllai i Madh nuk do ta tolerojë mospajtimin, madje as në mendje. Për ata që kanë mendime origjinale, ai ka shpikur Dhomën 101...
Libri “1984” është vizioni i tmerrshëm i George Orwell-it për një të ardhme totalitare, ku gjithçka dhe të gjithë janë skllevër të një regjimi tiranik. Në këtë roman janë krijuar gjithashtu shumë fjalë dhe shprehje të reja, që shfaqen rregullisht në kulturën popullore, si: “Vëllai i madh”, “krimendimi”, “mendimi i dyfishtë” apo “Refolmja”.
4. “Tre shokët dhe unë” nga Agim Xhafka

Agim Xhafka është një nga zërat më të veçantë të prozës shqiptare bashkëkohore, i njohur për stilin e kthjellët, ironinë e hollë dhe mënyrën si arrin të shpalosë realitetin shqiptar mes ndjenjës, kujtesës dhe reflektimit. Xhafka ka krijuar një univers letrar ku njeriu i zakonshëm bëhet pasqyrë e kohës dhe e përjetimeve kolektive. Në veprat e tij ndërthuren me finesë humori i hidhur dhe melankolia, duke i dhënë lexuesit jo vetëm histori për t’u ndjekur, por edhe për t’u menduar gjatë.
PËRSE SHKRUAJ?
Këto pesë vitet e fundit, krahasuar me çdo periudhë të jetës, kam shkruar shumë, shumë. Thuajse çdo ditë shkarravis e shkarravis. Pa u lodhur hiç. Kujtime, etyde, ese, humor, tregime... Guxova dhe me një novelë. Botova disa libra e ngutem të botoj të tjerë. Jo vetëm ngaqë janë pritur mirë, thuajse janë shitur sa hap e mbyll sytë, por edhe se ndiej kënaqësi, emocione, lumturi, ngazëllim, mallëngjim e plot shijime që nuk mund t’i shpreh dot. Se nuk i specifikoj qartë, ngaqë ngatërrohen kufijtë e perceptimit. As vetë nuk e di pse shkruaj kaq dendur. Po di që do të shkruaj e do të shkruaj. Një pyetje të tillë ma bëri edhe vajza ime. "Nuk u lodhe, o ba? - më tha. - Bëj ca pushim. Pse me kaq ngut?". Pa u menduar, po i përgjigjem me një strofë të Agollit. Bijë, shkruaj me ngut që të jem përherë me ty. Që:
Po kur të jesh mërzitur shumë.
Në raft të librave kërkomë,
Atje do të jem i fshehur unë,
Në ndonjë varg a ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh
Dhe unë do zbres, do vij pas teje;
Ti si dikur me mall do qeshësh,
Si një blerim pas një rrëkeje...
5. “Bëhu drita që ke lindur të jesh” nga Evis Zajmi dhe Engjëll Qato

Ky libër nuk është për t’u lexuar, por për t’u përjetuar. Ai është fryma që zgjon kujtesën e dritës brenda teje dhe të kujton se ke qenë gjithmonë më shumë se trup, më shumë se mendje, ke qenë një qenie që mban universin në frymëmarrjen e vet.
Metoda Envilight lindi në takimin mes urtësisë së lashtë dhe ndjeshmërisë së re të kohës, aty ku energjia dhe vetëdija bashkohen në artin e rikthimit te burimi. Ajo nuk predikon, por të ngre në frekuencë; nuk udhëzon nga jashtë, por ndez flakën e brendshme të krijimit që gjithmonë ka qenë aty.
Gjendesh përpara fillimit të një udhëtimi shumëdimensional, një sërë portash që hapen njëra pas tjetrës, duke të çuar përtej mendjes, kohës dhe trupit, drejt dimensionit ku gjithësia shpalos veten përmes njeriut.
Porta e Parë, çakrat, është çelësi i kësaj hapësire: aty ku çdo frymëmarrje bëhet urë, çdo ndjesi kod shpirti, dhe çdo qelizë memorie e harmonisë hyjnore. Evis Zajmi dhe Engjëll Qato janë themeluesit e metodës Envilight: një urë midis urtësisë së lashtë dhe vetëdijes së re, që fton njeriun të rikthehet te drita e vet.