
Kur ishim të vegjël, dhe një fëmijë sillej në mënyrë të vrazhdë apo agresive, të rriturit shpesh na thoshin: "Është xheloz, prandaj sillet kështu," ose: "I pëlqen, prandaj të tërheq flokët."
Një lloj ngushëllimi që synonte të na qetësonte, veçanërisht kur ndiheshim të përjashtuar apo të pavlerësuar. Mesazhi i nënkuptuar ishte se problemi nuk qëndronte te ne apo te sjellja e tjetrit, por tek fakti që ne ishim thjesht shumë të zgjuar, apo nxënës të mirë dhe kjo i bënte të tjerët të reagonin ashtu.
Në kohën e mediave sociale, kjo ndjesi ka marrë një emër të ri: "hendeku i mashtrimit", një boshllëk që nuk ka më lidhje me personalitetin apo komunikimin, por me atë se kush duket më "cool", më tërheqës në pamje, karrierë apo status shoqëror. Në TikTok, ky fenomen përshkruhet si diçka që mund të shkatërrojë marrëdhëniet.
Çfarë është “Hendeku Swag”?
Siç përshkruhet në një artikull të The Guardian, “hendeku swag” i referohet një ndryshimi të dukshëm mes dy personave në një marrëdhënie, ku njëri duket më i sigurt në vetvete, më i kuruar në pamje, më karizmatik apo me një imazh më tërheqës publik, duke e bërë tjetrin të ndihet në hije. Kjo pabarazi shpesh përkthehet në një ndarje emocionale.
Ky fenomen doli në pah kur Justin Bieber mori kritika për paraqitjen e tij gjatë një daljeje publike me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, në gusht 2023. Ajo kishte zgjedhur një fustan elegant të kuq, ndërsa ai ishte veshur me tuta dhe një bluzë me kapuç. Kontrasti midis përpjekjes së saj për t'u dukur bukur dhe pamjes së tij të pakujdesshme u komentua si një shembull tipik i "hendekut swag".
Një tjetër shembull që ndezi diskutime ishte ndarja e Nicole Kidman dhe Keith Urban, ku shumë sugjeruan se sukseset e vazhdueshme të Nicole në karrierë, përballë partnerit të saj, krijuan një boshllëk të pakapërcyeshëm mes tyre.
Sipas psikoterapistes Joanna Harrison, problemi nuk është pamja e jashtme apo imazhi, por mënyra se si njëri partner përjeton ndryshimin e tjetrit.
“Nëse partneri juaj fillon të ndihet më pak i vlefshëm pranë jush, me kohën kjo do të pasqyrohet në sjelljen e tij, me sjellje pasivo-agresive, nënvlerësim, zili dhe ndonjëherë edhe sabotim.”
Këtë e tregon edhe historia e Aaliyah, 26 vjeç, që e ndau për The Independent. Teksa karriera e saj si gazetare po lulëzonte, partneri i saj mbeti në vendnumëro. Pasiguritë e tij u kthyen në sjellje të ftohta.
"Nuk e pengova kurrë që të kishte sukses. Thjesht po e jetoja jetën time, ndërsa ai ndaloi. Në fund, ndjeva se më ndëshkonte për këtë."
Ngjashëm veproi edhe Issy, 25 vjeç, avokate, e cila pas tetë vitesh marrëdhënie u nda nga partneri i saj.
"Ai nuk ecte përpara. Kur u ndamë, u ndjeva e çliruar. Kuptova se nuk ishte faji im."
A mund të kapërcehet një hendek i tillë?
Kur partneri që ndjehet më pak “i denjë” përpiqet ta kompensojë këtë pabarazi pa dialog të thellë e mirëkuptim të ndërsjellë, përpjekjet e tij zakonisht përfundojnë në tensione, konflikte dhe shpesh në ndarje.
Ky fenomen nuk kufizohet vetëm në marrëdhëniet romantike. “Hendeku swag” mund të shfaqet edhe në miqësi, në formën e komenteve përçmuese, sarkazmës për sukseset, xhelozisë së heshtur apo përpjekjeve për të kopjuar stilin apo zgjedhjet e jetës së tjetrit.
A i mbijeton një marrëdhënie një boshllëku të tillë?
Nuk ka një përgjigje të thjeshtë. Siç shpjegon Harrison, çdo marrëdhënie ka dinamikat e veta dhe ndonjëherë njëra palë mund të mbështesë tjetrën në momentet e vështira. Por, kur nuk ka dëshirë për të ecur përpara ose kur xhelozia kthehet në agresion, lidhja fillon të prishet.