Kameramanët dhe teknikët e transmetimit në televizione janë gjithmonë burra. Shoferët e autobusëve, furgonëve, taksive janë të gjithë burra, në gjithë Shqipërinë. Punëtorët e ndërtimit, minatorët, varrmihësit po ashtu. Dhe nuk mbaron me kaq. Elektriçistët, mekanikët, gomisterët, hidraulikët, të gjithë burra. Operuesit e makinave të rënda si karroatrecët, vinçët a kamionët, gjithashtu të gjithë burra. Zjarrfikësit s’kanë asnjë grua në radhët e tyre, ndërsa forcat speciale vetëm një. Industri të tëra janë të dominuara 100% nga burrat në Shqipëri, por pse?
Punët e krahut, përmendur më lart, shihen si punë burrash thjesht sepse kërkojnë forcë fizike. Dhe një mit që ndikon shumë në ndarjen gjinore të këtyre profesioneve është nocioni se gratë janë fizikisht më të dobëta se burrat. Mbetet mit, sepse gratë mund të arrijnë të njëjtën forcë trupore nëse trajnohen dhe ngrenë pesha si burrat. Pra, mbetet çështje perceptimi dhe jo shkence.
Së dyti, kur vjen puna tek zanatet teknike si mekanik, elektriçist apo hidraulikë, burrat shihen si më të informuar, më të zotët. Një grua që merr vesh nga mekanika tingëllon si një njëbrirësh dhe nuk ngjall besim tek klientët. Sërish, ky perceptim i gabuar bën që gratë të përjashtohen nga një klasë e tërë profesionesh.
Së treti dhe më e rëndësishmja, një profesion i dominuar nga burrat nuk lë shumë vend për gratë që duan të marrin pjesë. Shumë pak gra do të guxonin të punonin në një fushë ku janë delja e zezë, ku gjykohen dhe/ose ndihen të kërcënuara.
S’mund të neglizhojmë dhe ndikimin e burrave pranë këtyre grave. Nëse vjen puna për të punuar në minierë, e bën burri i shtëpisë dhe jo gruaja. Burrat marrin mbi supe punë të vështira dhe të papëlqyeshme për t’u ruajtur nga paragjykimet dhe për të ruajtur “nderin” e gruas në krah.
Arsyet që përshkruajtëm mund të ngjajnë arkaike, por janë shumë të vërtetë edhe sot, në 2018-n.