
G Bani rrëfen se nuk është larg listës së zezë së Top Channel
Në një intervistë për emisionin "Jo Veç Kullera." në Andale Media, reperi G Bani foli hapur dhe pa filtra për raportet e tij me Top Channel, që prej përfundimit të Big Brother VIP Albania 4; dhe nga sa tregoi, nuk është se janë në ditët më të mira.
“Marrëdhëniet me Topin në këto momente janë të këqija. Kam nja 3-4 gjëra që dyshoj pse janë të këqija,” tha ai.
G Bani ndau edhe një episod të fundit që ndoshta e vulosi këtë përçarje: një tentativë për të bashkëpunuar me trupën e Portokallisë në turneun e tyre në Korçë.
“Trupa e Portokallisë ka një turne. Unë u vetofrova pa pagesë për të marrë pjesë me nja dy këngë se ata do performonin diku ku mua më interesonte shumë të isha prezent, po nuk erdhi konfirmimi asnjëherë nga sipër. Dhe kjo do të thotë që marrëdhëniet janë të tilla, që nuk janë të mira.”
G Bani thotë se në “BBVA” askush nuk merr lekë
Sipas G Banit, askush nga banorët nuk është paguar për qëndrimin në shtëpi: “Të gjithë, asnjëri s’ka marrë lekë. Kokërr leku asnjëri. Këto që thuhen se merr për qëndrimin dhe paguhesh si lloj rroge, janë gënjeshtra. Asnjë s’është paguar për qëndrimin.”
Më pas, një nga moderatorët i kujtoi G Banit një detaj që bëri bujë gjatë lojës: thyerja e kutisë së emergjencës, që e penalizoi për çmimin e madh në rast fitoreje.
“Banorët e tjerë u përpoqën të më tallnin, që ‘shiko se ti po rri pa lekë’. Unë s’po rrija pa lekë, unë mora, ata s’morën. Unë mora 5 mijë euro të pastra.”
Moderatorët ngritën një pyetje shumë të drejtë pas kësaj deklarate: po si ka mundësi të futen në format njerëz që s’marrin asgjë?
Dhe G Bani, me stilin e tij pa filtra, dha një përgjigje që është po aq e debatueshme sa dhe deklaratat e tij të mëparshme: “Ne jemi të pasur. Më i varfri nga ne është aq i pasur sa t’i lërë të gjitha mënjanë dhe të futet në një format televiziv, të vetizolohet, të monitorohet, duke mos u marrë me anën e tij profesionale.”
Gjesti heq Stresin nga Instagram-i pas videos ku reperi shfaqet duke puthur Jozin
Mjekrat tona prekën tokën kur pamë një video ku Jozi “urdhëronte” Stresin që ta puthte dhe ky i fundit, pasi deklaronte se Jozin dhe çunat e Fushë-Krujës i ka vëllezër, procedonte t’i shfaqte dashurinë ish-banorit të “BBVA”.
Videoja bëri xhiron e rrjetit dhe mesa duket, Gjesti s’e priti aspak mirë. Ai e hoqi Stresin nga Instagram-i dhe nja 2 ditë më vonë, pasi Stresi e vuri re, bëri të njëjtën gjë.
Fero thotë se ka 1 vit pa e parë vajzën
Fero publikoi një mesazh për vajzën e tij, Ninën, në rrjete sociale, duke treguar mallin që ndjen për të bijën pas 1 viti që nuk takohen më. Në një story në Instagram, Fero postoi një portret të vizatuar të vetes dhe vogëlushes, me mbishkrimin:
"Pothuajse një vit pa ty. Ndoshta e ke harruar se kush është babai yt ose ndoshta të ka marrë malli për mua. Mendimet e mia shkojnë thellë për ty. Na bënë padrejtësi vogëlushe."
Në fund, Fero e shoqëron mesazhin me hashtagun "shtet i korruptuar", duke lënë të kuptohet se vazhdon të ndalohet prej ligjit për të mos parë vajzën e tij, ndonëse në shtator të vitit të kaluar, Fero njoftoi se i ishte caktuar kujdestaria e saj për një vit.
Vesa Luma flet për thashethemet e krizës me Big Bastën
Vesa Luma, në një intervistë ekskluzive për “The Dalina Show”, foli ndër të tjera për thashethemet që vërshuan se ajo dhe Big Basta ishin në prag ndarjeje, pasi artisti mori pjesë në “Ferma VIP”. Ajo pranoi se mes tyre ka pasur debate, por s’është thënë kurrë fjala e fundit.
Një prej pikave që ndikoi në këto tensione ishte edhe pjesëmarrja e Big Bastës në reality shoë-n "Ferma VIP", një hap që Vesa fillimisht e pa me shqetësim.
“Në rastin e Fermës ka diçka të vërtetë sepse unë realisht nuk kam menduar në ndonjë moment që Geri të jetë në një ambient të tillë, duke e ditur natyrën e tij shumë të qetë. Dhe formate të tilla nuk kanë qenë asnjëherë për natyra të tilla, sipas meje. Unë kisha frikë nga mënyra se si do ta perceptonin njerëzit ose thosha 'ja ndenje 5-6 javë dhe dole? Ç'kuptim kishte?' Kisha dhe frikë se ai mos përballej me një dëshpërim tjetër që mund të sillte ndonjë vendim të nxituar.”
Më tej, vijoi:
“Mund ta them me bindje të plotë, kemi pasur mosmarrëveshje, por s’jemi ndarë kurrë. Jam shumë me fat që kam Gerin në jetën time sepse është një mbështetje shumë e madhe. Jetën familjare e kemi kult, nuk luajmë me atë gjë.”
Intervistën e plotë e gjeni këtu:
Bleona Qerreti birëson një luan në Afrikë
Bleona Qereti, në një intervistë me Blendi Fevziun, ka treguar se ka birësuar një luan. Po, një luan të vërtetë. Në Afrikë. Dhe jo, nuk është ndonjë metaforë për karakteristikat që duhet të ketë partneri i Bleonës. Është një luan i vërtetë, që quhet Sarara.
Në një video të shpërndarë së fundmi me Blendi Fevziun, Bleona e tregoi vetë me krenari këtë “birësim”:
“Unë kam marrë këtë dhuratë për ditëlindje,” thotë ajo duke treguar byzylykun në dorën e saj, “vlera dhe shuma e të cilës shkon për të shpëtuar një luan në Afrikë, është bamirësi."
Më tej, sqaroi:
"Luanin tënd mund ta ndjekësh me aplikacion, që është një ndërthurje moderne mes bamirësisë dhe shpëtimit të kafshëve. Ky është luani im, Sarara. Ka mbledhur 180 mijë dollarë për momentin. Se sa kam dhënë për të s’mund ta them, unë kam shpëtuar jetën e këtij luani. Ky është i vetmi luan që kam. Ajo që dua të bëj është të takohem me Elon Musk dhe të shpëtoj gjithë kafshët e kësaj bote.”
Morena Taraku flet për problemet shëndetësore që po kalon ajo dhe familja
Morena Taraku, përmes një postimi në Instagram, bëri me dije se është duke u përballur me probleme shëndetësore. Ajo njoftoi se edhe familja e saj ka hasur sfida me shëndetin.
“Kam kaluar shumë gjatë këtyre muajve, ulje-ngritje, problemet shëndetësore të babait, stres dhe momente gëzimi. Por kam vetëm një kërkesë: ju lutem, jetoni jetën pa stres dhe zemërim. Jeta është e bukur dhe nuk duhet ta marrim asnjë minutë për të mirëqenë. Kaloni jetën me njerëzit që ju duan dhe që i doni, kjo është lumturia e vërtetë në jetë. Faleminderit për mesazhet dhe dashurinë tuaj. Shumë dashuri për të gjithë ju.”
Kiara do të prezantojë “Kënga Magjike 2025”?
“Kënga Magjike 2025” do të nisë më 14 shtator dhe Ardit Gjebrea ka konfirmuar se krah tij, si bashkëprezantuese do të jetë e bija, Ana Gjebrea.
Sigurisht, prezantimi do të jetë më emocionues për të, pasi do të ketë në skenë vajzën e tij, por sipas një videoje të publikuar nga vetë moderatori, ndoshta do t’u bashkohet edhe Kiara Tito.
Në videon e publikuar në Instastory nga llogaria e Arditit, shfaqet Luizi, i cili thotë: “E zëvendëson goca e tij Arditin. Ju mendoni se me mua? Harrrojeni! Me Kiara Titon!”.
Ana Lika zbulon portretin e vogëlushes Marvel
Ana Lika ka publikuar portretin e vajzës së saj Marvel, 6 muaj pasi ajo erdhi në jetë.
“Mrekullia ime Marvel. Ti sot bën 6 muajshe dhe unë nuk e di se sa shpejt kan kaluar keto muaj. Nuk ngopem me buzqëshjen tënde (dhe tulet e tua). Faleminderit që me dhe ermin "mami". Të dua pafund poçi im i vogël”, shkroi Ana.
Më tej, aktorja i kërkoi ndjesë të bijës që i publikoi foton në Instagram:
“P.S.: Më fal qe te nxori mami me fytyrë në insta, se e di që e ke qejf privatësinë”.
Sa i përket romancës së Anës dhe Bjordit, ata janë njohur gjatë xhirimeve të serialit “Hot”, ndërsa konfirmimin e romancës e bënë me një postim në Instagram 1 vit më vonë.
Ronela Hajati ndahet nga partneri?
Ronela Hajati duket se po kalon një periudhë të vështirë në jetën e saj personale, të paktën kështu tregojnë dhjetëra videot e ripostuara prej saj në TikTok. Videot e ripostuara nga artisja flasin për ndarje, zemra të thyera dhe dhimbje, gjë që të lë të kuptosh se me siguri ka përfundur mes saj dhe partnerit të cilin ajo e zbuloi vetëm një muaj më parë.
Mbishkrimet në disa prej këtyre postimeve janë: “Sa shumë dhembi? Aq sa dhe mami im qau për të”, “S’ka hakmarrje sepse thellë brenda meje e di që ai është ende një djalë i ëmbël të cilit i duhet të përballet me problemet e veta”, “Kthehu tek e dashura jote, s’më intereson nëse e mbyllet shumë keq, ajo që kishit ishte shumë e bukur, mos e shkatërro nga pamaturia”.
Egli tregon se është single
Nëse Gjesti së fundmi na konfuzoi për raportet që mund të kishte me Eglin, kjo e fundit i ka bërë gjërat shumë të qarta me një veprim. Egli iu përgjigj vetë në Instagram 10 pyetjeve më të shpeshta nga ndjekësit dhe kur iu kërkua të tregonte statusin e saj, ajo tha prerë:
“Shkurt, pastër, pa gabime. Statusi im aktual është single.”
Më tej, ajo vijoi duke thënë se nuk ia toleron vetes që të zhgënjehet nga njerëzit. E po, më në fund!