Libri i Esther Perel – një psikologe dhe autore librash të botuar në The New York Times, The Washington Post, The WallStreet Journal, Le Monde, The Guardian, The New Yorker dhe Vogue – "As të parët, as të fundit” me nëntitull “Tradhtia në epokën e transparencës” është sjellë në shqip nga Shtëpia Botuese Pegi.
“As të parët, as të fundit” është një libër për të gjithë ata të cilët kanë tradhtuar, janë tradhtuar apo thjesht kanë nevojë për një mendim ndryshe në lidhje me raportet emocionale; një udhërrëfyes tërheqës dhe një formë bashkëbisedimi mbi tradhtinë në çift.
Perel, ndër të tjera, hulumton shkaqet e tradhtisë, pasojat dhe jep gjithashtu një sërë këshillash.
“Deri tani, monogamia ka qenë konfigurimi ynë standard dhe bazohet në supozimin që, kur dashuron vërtet, nuk tundohesh më nga të tjerët. Kjo është arsyeja pse shpesh një flirt apo tradhti shërben për të nisur bisedën. Pasi trilli merr fund dhe nuk vazhdon të mbrohesh më, mund të filloni të jeni më të hapur me njëri-tjetrin.[...] Tradhtia bashkëshortore ka ekzistuar që kur është shpikur martesa dhe po ashtu edhe tabuja kundra saj. Ajo është përfshirë në legjislacion, është debatuar, politizuar dhe demonizuar gjatë gjithë historisë. Dhe, pavarësisht nga dënimi publik, mosbesnikëria ka një lloj këmbënguljeje, që martesa veçse zili mund ta ketë. Është kaq domethënëse, sa është i vetmi mëkat të cilit i përkojnë dy urdhëresa në Bibël, njëra kur e bën dhe tjetra vetëm kur mendon ta bësh.” – thuhet në disa fragmente të librit.