








Princesha Sofia Hellqvist e Suedisë
Ish-modelja Sofia Hellqvist është martuar gjatë ditës së djeshme me Princin e Suedisë Carl Philip. Për herë të parë pas disa shekujsh, një vajzë thjeshtë arrin të bëhet princeshë e Suedisë. Ajo fillimisht u bë e njohur për pjesëmarrjen në një reality show në vitin 2005, ku vajza të reja beqare konkurronin me njëra tjetrën për të qëndruar sa më gjatë në një hotel luksoz. Gjithashtu ajo ka publikuar disa foto topless, si dhe ka disa tatuazhe dhe një piercing në kërthizë. Sofia e cila është njohur me Princin në një festë, ka studiuar në Nju Jork për financë dhe është një instruktore e jogas. Në vitin 2009 ajo ka punuar si aktiviste në Ganë, në ndihmë të fëmijëve në nevojë.
Mbretëresha Rania Al Abdullah e Jordanisë
Në Lindjen e Mesme jeton një grua elegante e cila ka bërë për vete të gjithë botën me bukurinë, stilin dhe inteligjencën e saj. Mediat perëndimore e krahasojnë atë me Jacqueline Kennedy dhe Princeshën Diana. Rania, mbretëresha më e re në botë, në vitin 2004 është zgjedhur nga revista “Hello” si femra më elegante në botë dhe ka pozuar për kopertinën e “Time”. Ajo dhe Mbreti Abdullah janë takuar në vitin 1993 në një festë dhe të dy u dashuruan menjëherë, dy muaj më vonë u fejuan dhe pas 6 muajsh u martuan. Rania më parë punonte në bankë.
Princesha Grace Kelly e Monakos
Kelly ishte një aktore e famshme e Hollivudit. Fituesja e çmimit të aktores më të mirë në Academy Aëards u martua me Princin Rainier në vitin 1956, në një ceremoni që mori vëmendjen e botës mbarë. Ata patën 3 fëmijë dhe vdekja e saj në vitin 1982 në një aksident automobilistik ishte një shok i madh për të gjithë botën.
Princesha Charlene Wittstock e Monakos
Dikur një notare olimpike e Afrikës së Jugut, tashmë një princeshë. Charlene u njoh me Princin Albert në një event mbi notin në Monako. Duke pasur të dy interes të madh për sportin ata u afruan shpejt dhe në vitin 2011 lidhën kurorë.
Princesha Mable e Orange-Nassau
Princi Friso i Orange-Nassau dha dorëheqjen nga e drejta për të kryesuar fronin e Hollandës, për t’u martuar me Wisse-Smit, në një akt që dëshmoi se me të vërtetë dashuria i mposht të gjitha. Më pas rezultoi se gruaja e tij e ardhshme kishte pasur një histori me një bos droge gjatë kohës që ishte studente. Një gjë e tillë u mohua nga pallati mbretëror por martesa e tyre gjithsesi shkaktoi debate në Hollandë.
Princesha e kurorës Mette-Marit e Norvegjisë
Ajo ishte një nënë beqare me një të shkuar rebele.Para se të takonte Hakoon, Princin e kurorës së Norvegjisë, ajo punonte si kamariere. Fejesa e saj me princin në vitin 2000 u pa si shumë shqetësuese në një vend që përgjithësisht është shumë i qetë. Njerëzit mendonin se e shkuara e saj shumëngjyrëshe mund të njolloste reputacionin e familjes mbretërore. Gjithsesi me sinqeritetin dhe veprat bamirëse, ajo arriti të merrte mbështetjen e publikut.
Princesha Letizia Rocasolano e Asturias
Para martesës me Princin Felipe të Spanjës, ajo ishte një prej spikereve të lajmeve më të famshme të televizioneve spanjolle. Që prej nisjes së karrierës së saj në vitin 2000, ajo mbuloi disa prej ngjarjeve më të rëndësishme, përshirë 11 Shtatorin dhe luftën në Irak. Ajo është Princesha e parë jo-aristokratike e historisë së Spanjës.
Princesha e kurorës Mary Donaldson e Danimarkës
Ajo dëshironte të bëhej një atlete kur të rritej. Në shkollë të mesme ishte kapitene e skuadrës së hokejt dhe notit. Pas shkollës ka punuar në departamenti e sportit të një kompanie të madhe reklamuese në Melburn. Ajo u njoh me Princin Frederik në një pub në Sidnej. Ata u martuan në vitin 2004 dhe Mary u bë e dyta princeshë me origjinë jo-aristokratike në Danimarkë.
Alexandra Manley ish-Princesha e Danimarkës
Alexandra Manley u njoh me Princin Joachim në vitin 1994 në një festë dhe u dashuruan menjëherë. Ajo ishte femra e parë me origjinë aziatike që martohej me një anëtar të familjes mbretërore në Europë. Sidoqoftë martesa e tyre përfundoi në divorc, që ishte i pari për familjen mbretërore daneze që prej vitit 1846.