Përsëri një shkrim për suksesin! Po të bëjmë një kërkim në Google, gjen artikuj pa fund, mënyra e strategji nga më të ndryshmet, që synojnë t’i japin përgjigje pyetjeve të ndryshme. Cilat janë sekretet e suksesit? Përse disa ia dalin të kenë sukses e të tjerë jo? A është çështje fati? Në librin best seller “Të jashtëzakonshmit”, i përkthyer edhe në shqip, Malcolm Gladwell, nëpërmjet shembujsh të gjallë, përpiqet të zbulojë misterin e gjenive, suksesi i madh i të cilëve i shndërroi në njerëz të jashtëzakonshëm. Sikur mësimet e tij të ishin të vlefshme për çdo njeri, në çdo cep të botës, pa marrë parasysh prejardhjen, trashëgiminë kulturore, shoqërinë në të cilën lind, rritet dhe zhvillohet, atëherë këtë punë mund ta konsideronim të mbyllur këtu, duke ju sugjeruar të lexoni librin e tij të botuar edhe në shqip. Por rrugët e suksesit të shqiptarëve janë të përziera rrëmujshëm me rrugët e një shoqërie në tranzicion social, kulturor, ekonomik dhe politik.
Në një shoqëri si kjo, e cila jeton mes idealizmave socialiste dhe pragmatizmit kapitalist, është e vështirë të identifikosh modelin e njeriut modern e jo më një model suksesi. Por mund të bëhet diçka tjetër. Duke analizuar personazhet finalistë të “Big Brother-it”, të votuar nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, mund të ndërtohet (pavarësisht se mjaft përciptas) modeli i një lojtari të suksesshëm. A mund të përfaqësojë lojtari i “BB” modelin e suksesit në realitet? Sociologët do të revoltoheshin shumë nëse i përgjigjeshim me “po” kësaj pyetjeje. “Si edhe në të gjithë botën, audienca që ndjek të tilla emisione nuk përfaqëson njerëzit e suksesshëm të shoqërisë, përkundrazi, në shumicë, ata janë njerëzit që përfaqësojnë arritje nën mesatare dhe ideja e tyre për suksesin e mirëfilltë nuk mund të konsiderohet e vlefshme në përzgjedhjen e njeriut të suksesshëm”, thotë Grida Duma, shefe e Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës. Ndoshta kështu shpjegohet përse jashtë planetit “Big Brother”, me t’u shuar jehona e spektaklit, shumë prej banorëve shndërrohen në të zakonshmit njerëz normalë, ashtu siç kanë qenë gjatë jetës së tyre. Sidoqoftë, eksperimenti i “BB” shërben, në mos për të zbuluar modele suksesi, të paktën për të zbërthyer disa strategji, të cilat deri në njëfarë pike funksionojnë edhe në realitetin përtej.
FILLIMI I MBARË, GJYSMA E PUNËS
Në jetë, por edhe në lojën “Big Brother”, fillimi i mbarë është gjysma e punës. Por për ta nisur mbarë një lojë, më parë duhet të marrësh pjesë në të. Asnjë prej fituesve të “BB” nuk do ta kishte fituar lojën nëse nuk do ta kishte marrë mundimin të trokiste në dyert e Top Channel-it për të dorëzuar aplikimet e pranimit. “Nuk e kisha menduar ndonjëherë pjesëmarrjen në ‘Big Brother’. Nisi si një bast mes shokësh. Jo merr pjesë, jo nuk merr pjesë… Kështu përfundova në ‘BB’”, thotë Jetmiri, fituesi i “BB 3”, të cilit një lloj shansi kuturu i dha edhe fitoren. Adelajda nuk hoqi dorë kurrë nga pjesëmarrjanë “BB”. Herën e parë nuk e lejuan prindërit, herën e dytë konkurroi pa i njoftuar fare.
Eksperienca e fituesve të “BB” ka treguar që finalistët kanë pasur një start më të mirë se të tjerët. Ç’do të thotë kjo? Në një lojë si “BB” vlerësohet protagonizmi. Kjo është arsyeja përse mes banorëve në fillim krijohen armiqësi edhe për arsye nga më banalet. Por kjo strategji loje ka disavantazhet e veta,sepse për njërin (më të paaftin në debat) krijohet antipati te publiku. Në grindjen e parë mes Ermelës dhe Hënesit (sherr që nisi nga qimet e këmbës së Hënesit, të cilat e bezdisën Ermelën), Hënesi u penalizua duke dalë që në javën e dytë të konkurrimit, kurse Ermela siguroi vëmendjen e banorëve dhe publikut që javën e parë brenda shtëpisë. Debati i dytë me Emiljanon theksoi protagonizmin e saj dhe e dalloi shpejt prej grupit. Në këtë mënyrë, Ermela u shndërrua në një bosht, rrethtë cilit, gjatë javëve në vazhdim, u rrotulluan banorët dhe debatet. Sot është një nga banoret më të spikatura në “BB 4”, një kandidate e mundshme për fituese.
Sociologu Robert Merton, nëpërmjet faktesh, ka dalë në përfundimin se njerëzit e suksesshëm kanë pasur një fillim tëmbarë në karrierën e tyre. Ai e quan këtë fenomen “Efekti i Mateut”, sipas një vargu në Ungjillin e Mateut: “Atij që ka, dot’i jepet dhe më tepër, do të ketë me shumicë, por atij që nuk ka shumë, do t’i merret edhe ajo që i ka mbetur”. Sipas tij, kjo është arsyeja përse nxënësve më të mirë u kushtohet më shumë vëmendje nga pedagogët, duke iu krijuar kushtet të favorshme për një karrierë më të mirë; përse njerëzit që lindin të pasur, pasurohen edhe më shumë etj. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse disa nga banorët e “Big Brother-it”, ndoshta më shumë se disa që arrijnë në finale, kanë dalë nga shtëpia pa shumë bujë. “Unë e njoh Fatjonën dhe më vjen keq që nuk pati mundësi për të treguar veten e saj”, tha opinionisti Blendi Salaj për një nga banoret e “BB4”, e cila doli që javët e para të konkurrimit. Duke e njohur jashtë shtëpisë, opinionisti shtoi se arsyeja e daljes së parakohshme të saj ishte thjesht sepse “qëndroi urtë” aty brenda.
LEHTËSIRAT E JETËS NË ÇIFT
“Strategjia ime për të fituar? Do futem me idenë fikse për të krijuar çift”, ka deklaruar Pol Babi, banor i “BB 1” gjatë një interviste para se të futej në shtëpi. Kjo strategji e Polit ka rezultuar deri diku e suksesshme për banorët e “BB”, pasi shumë prej çifteve të krijuar kanë prekur finale. Noçja dhe Olsi arritën në finalen e “BB 1”, Bjordi-Adelajda në “BB 2”, Domenika (e dashuruar në atë kohë me Seldin) ishte finaliste në “BB 3”. Duke prodhuar një telenovelë dashurie me shumë seri, banorët tërheqin vëmendjen e publikut duke siguruar pak më shumë jetëgjatësi. Lehtësirat e jetës në çift, si në “BB”, por edhe jashtë, shpjegohen me faktin se aleancat dyshe iu japin njerëzve më shumë forcë dhe vetëbesim për t’u përballur me njerëzit e tjerë dhe me probleme të ndryshme. Një avantazh tjetër i çifteve, që më shumë vlen në realitet, ka të bëjë me një lloj mburoje sociale që i krijohet femrës përkundrejt paragjykimeve dhe presioneve të ndryshme. Një femër me një partner në krah, jo vetëm sulmohet dhe paragjykohet më pak, por sidomos nëse martohet, automatikisht fiton statusin e një gruaje të moralshme në sytë e shoqërisë. Për ta argumentuar këtë fenomen, nuk është e nevojshme të rrëfesh histori personale, pasi ky është një realitet i përditshëm. Presioni i madh social që ushtrohet mbi brezin e 30-vjeçareve beqare sot është sfida më e madhe e femrës që jeton (gjoja) në një shoqëri moderne dhe të hapur.
AH, SIKUR TË ISHA DJALË!
Por, parë në këtë këndvështrim, çështjet e moralit nuk e kanë avantazhuar kurrë një banore të “BB” më shumë se një tjetër. Për shembull, Neda, e cila luftoi me kartën e vajzës së mbarë, ashtu edhe Ermela, e gjykuar për moralin e saj, ishin të dyja konkurrente që iu afruan finales (Neda u skualifikua të shtunën e parafundit dhe Ermela kaloi në finale). Shembulli më klasik që vërteton këtë teori, është ai i Noçes, banores së “Big Bro ther 1”, e cila arriti në finale pavarësisht se mendohet se ka kryer marrëdhënie seksuale para kamerave. E pavarësisht se kanë arritur deri në finale, asnjë nga femrat e tre edicioneve të “BB” nuk ka fituar. A mund të jetë kjo gjë thjesht një rastësi? “Në shoqërinë tonë ende të pazhvilluar mbi konceptet e mirëqenies dhe të të drejtave, forca ende lidhet me mashkullin dhe, po ashtu, edhe kur nuk lidhet me mashkullin, i atribuohet atij, por edhe nëse nuk i atribuohet atij, sërish shoqëria preferon dhe e lë me vullnet që forcën dhe përgjegjësinë e të fortit t’ia delegojë mashkullit”, shpjegon sociologia Grida Duma. Diskriminimi gjinor vërehet edhe në jetën përtej “Big Brother-it”.
Sipas një raporti të INSTAT-it, meshkujt kanë paga më të larta se femrat në të gjithë sektorët, pasi kanë poste drejtuese dhe merren me tregti. Diferencat vihen re në sektorin publik, por më të theksuara janë në sektorin privat. Në sektorin shtetëror, në grupin e ligjvënësve, nëpunësve të lartë dhe drejtuesve, përqindja e burrave është gati sa dyfishi i përqindjes së grave. Edhe për sa i përket grupit të punëtorëve, përsëri përqindja e burrave është gati dy herë më e lartë se e grave. Ndërkaq, pagesat mujore të meshkujve që janë të punësuar në sektorin privat, rezultojnë disa herë më të larta se ato të femrave.
PËRSE FITOJNË TË “KËQIJTË”?
“Askush që zgjohet përpara agimit për treqind e gjashtë dhjetë ditë të vitit, nuk dështon në përpjekjen e tij për të pasuruar familjen”. Me këtë proverb hapet kapitulli VIII i librit “Sekretet e suksesit”, që me fjalë të tjerë nënkupton rëndësinë e madhe që ka puna në arritjen e suksesit. Madje, për shumë njerëz të suksesshëm, puna ka qenë e vetmja përgjigje. Artistë me talent të spikatur, që fëmijë, kanë pranuar se një talent dembel nuk të bën të suksesshëm. Kjo është këshilla më e zakonshme që kanë theksuar fort në talent show-n “Ethet e së premtes” profesionistët e muzikës si Zhani Ciko, Alfred Kaçinari dhe Shpëtim Saraçi. Kompozitorë të talentuar, si Flori Mumajesi,kanë rrëfyer në intervista të ndryshme që i gdhijnë dhe i ngrysin ditët në studio, duke punuar. Në një prej faqeve online të “Secret, the law of attraction”, theksohet se suksesi është rrjedhojë e këmbënguljes, vullnetit dhe dëshirës për të punuar. Sipas kësaj faqeje interneti, tregohet se shpenzimi produktiv i kohës në punë garanton sukses. Në leksionet mbi “Ligjet e sekretit”, zbulohet sa e rëndësishme është puna produktive e njëzet minutave. “Nëse bëni një ndarje racionale duke i vendosur vetes detyra dhe qëllime për të kryer një punë të caktuar brenda njëzet minutave, do ta kuptoni sesa produktivë mund të jeni. Çfarë ndryshimi mund të sjellin vetëm njëzet minuta në kohën e njeriut? Ndoshta jo shumë. Por nëse mblidhen të gjithë njëzet minutëshat me punë produktive gjatë një viti, atëherë me siguri keni për ta kuptuar ndryshimin”, thotë një prej bashkëpunëtorëve të këtij libri.
Por ç’lidhje ka puna me suksesin e banorëve të “BB”, kur e gjithë puna e tyre është të hanë, të pinë, të rrinë, të luajnë brenda një shtëpie që ofron luksin dhe rehatinë e një jetese mbi nivelin mesatar të jetesës së një shqiptari?! Për më tepër, nuk iu duhet fare të punojnë për të siguruar këtë lloj rehatie! Në të vërtetë, fitimtarët kanë punuar gjatë gjithë kohës, pa e shkëputur vëmendjen e tyre për asnjë moment nga qëllimi final: fitorja! Fituesit kanë punuar fort për t’u bërë protagonistë, për t’u shndërruar në heronj të një filmi real me shumë seri. “Duhet të përqendrohem shumë, sepse një minutë po të iku vëmendja, të doli loja nga duart”, ka thënë Ermela në një nga rrëfimet e saj, në atë që banorët e quajnë “Konfensional”. Në një letër drejtuar familjes së tij, e cila u bë publike në një nga spektaklet e “Big Brother-it”, Qetsori shkruan: “Në një moment që nuk shoh ëndërr me të dashurit, filloj të kem frikë se mos i harroj, ndaj një pjesë të mirë të kohës gjatë ditës e kaloj duke i menduar”. Letra vijoi me një klip të djalit të Qetsorit, moment i vetëm kur Qetsori, banori i ftohtë, i përllogarituri dhe intriganti i shtëpisë, u thye, duke qarë para të birit, kur u shfaq në ekran. Qetsori, e një vit më vonë Jetmiri, të dy fitues të “BB”, asnjëherë nuk u shquan si “të mirët e shtëpisë”.
Por vlerësime të llojit “i keq apo i mirë”, në historitë të njerëzve të suksesshëm, kanë treguar se nuk pinë ujë. Bethoveni ka qenë një njeri mjaft problematik, josocial, i vështirë në komunikim, i urryer nga shërbëtorët dhe të afërmit. Por njerëzimi i përulet mjeshtrit së muzikës për trashëgiminë e pasur kulturore dhe e nderon si një nga gjenitë më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ismail Kadare, një prej figurave më të rëndësishme shqiptare, gjithmonë është parë me dyshim nga ana personale (një histori dashurie mes Renatos, djalit të një shitëseje ushqimoreje, dhe Gresa Kadaresë, vajzës së Ismailit, u shndërrua në një tragjedi personale për familjen e djalit, sipas rrëfimeve të Janullës, nënës së Renatos). Por pena e tij ka gdhendur një tjetër histori suksesi me përmasa ndërkombëtare, e cila ka sfumuar gjithçka tjetër… Sikur një strategji suksesi e shkruar në një formë kaq të sipërfaqshme të ishte absolutisht e vërtetë, atëherë do ta kishim pasur shumë të thjeshtë për të zgjedhur cilën rrugë të merrnim. Por shpesh është çështje fati dhe gati gjithmonë është çështje përkushtimi të plotë ndaj qëllimit final. Ashtu si për 100 milionë në “Big Brother”, edhe në jetë pyetja e njëjtë është: Sa e do diçka dhe a je gati t’i shkosh lojës deri në fund për ta marrë?