
Këngëtari Marc Anthony ka thyer heshtjen lidhur me mosmarrëveshjen brenda familjes Beckham, pasi emri i tij u përmend në deklaratën e Brooklyn-it pak javë më parë. Në një intervistë të publikuar të hënën, ai i tha The Hollywood Reporter se familja Beckham është e mrekullueshme dhe se gjithçka që po ndodh mes tyre është shumë e trishtë.

"Nuk kam asgjë për të thënë mbi atë që ndodhi aty. Është shumë e trishtë se si po zhvillohet kjo situatë, por mënyra se si po paraqitet është shumë larg së vërtetës,” tha ai.
Marc Anthony është mik i ngushtë i familjes Beckham. Siç edhe u shpreh në intervistë, ai është një nga njerëzit më të afërt të familjes, i njeh Victoria-n dhe David-in që përpara se ata të bëheshin prindër dhe është gjithashtu kumbari i djalit të tyre, Cruz Beckham.


Ai ishte këngëtari i dasmës së Nicola-s dhe Brooklyn-it, dhe emri i tij u përfol pas deklaratës së publikuar në Instagram nga ky i fundit. Sipas Brooklyn-it, kur Marc Anthony e thirri në skenë për të kërcyer, në vend të Nicola-s erdhi nëna e tij, Victoria, duke vjedhur momentin që u përkiste atyre të dyve.

"Nëna ime vodhi vallëzimin tim të parë me gruan time i cili ishte planifikuar prej javësh me një këngë dashurie romantike. Përpara 500 të ftuarve tanë të dasmës, Marc Anthony më thirri në skenë, kur sipas programit duhej të ishte vallëzimi im romantik me gruan time, por në vend të saj nëna ime po priste për të vallëzuar me mua."
Gjatë rrëfimit, ai u shpreh shumë i turpëruar nga ky veprim dhe tha se nuk ishte ndjerë kurrë më i poshtëruar në jetën e tij. Megjithatë, sipas asaj që është raportuar deri më tani, burime të ndryshme kanë pohuar se vallëzimi i përmendur nuk ishte i pari për çiftin, por ndodhi pasi ata dhe të ftuarit e tjerë kishin vallëzuar për një kohë.

Marc Anthony u ngjit në skenë për të performuar. Më pas, ai e thirri Brooklyn-in për të vallëzuar me “gruan më të bukur në sallë”, e cila nuk ishte nusja, por Victoria.







