
Çdo gjë nisi nga një ndjenjë. Një ndjenjë që ishte shumë thellë në skutat e zemrës dhe që flinte atje për vite e vite me radhë. Shumë njerëz, shumë ngjarje, shumë arritje, shumë disfata, por prapë ti qëndroje diku aty, në një dhomë të fshehtë të zemrës time.
E kam të ngulitur në mendje atë imazh, atë ditë kur pashë sytë e tu plot jetë dhe mendova:
“Ana, kjo mund të jetë dashuria. Mund të jetë ajo ndjesia që përjetojnë njerëzit e rritur dhe ndoshta për herë të parë po të ndodh edhe ty.”
Flija me ty në mendje, ëndërroja për ty dhe zgjohesha me ty, vetëm, në fshehtësi. Çdo ditë, kur shikoja ata sy, thoja me vete:
“Si mund t’ia them këtij çuni që e pëlqej shumë?”
Largësia na ndau, por kurrë nuk e largova atë imazh nga sytë e mi. Rastësia qenka mbreti i botës dhe besoj se universi të sjell shumë njerëz në jetë për qëllime të caktuara, ndoshta për të të mësuar ata diçka, ose për të mësuar unë diçka. Mendoj se ty universi të solli tek unë për të më treguar se dashuria mund të ekzistojë.
Provo një herë të dalësh nga akulli ku je futur dhe të lejosh që ky djali që jeton thellë në zemrën tënde të të pushtojë tërësisht. Provo të duash pa kushte, pa largësi, pa marrë parasysh asgjë që të rrethon dhe ta duash këtë gjë si gjënë e fundit që po jeton.
Mendoj se universi të solli tek unë sepse çdo herë i lutesha Zotit:
“Më sill një njeri në jetë që të më bëjë të besoj në dashuri.”
Asnjëherë nuk kam besuar në dashuri… derisa mu shfaq imazhi i një personi të madh, me sens humori, por edhe serioz njëkohësisht, mu përballë meje. Çdo gjë kishte ndryshuar, përveç atyre syve, atyre syve që më ishin ngulitur shumë kohë më parë.
Faleminderit që je pjesë e jetës time dhe ma ke zbukuruar çdo gjë. Të dua shumë, S., dhe do të të dua gjithmonë, pavarësisht çdo gjëje.
- Shkruar për Anabel nga një grua anonime, për rubrikën “Untold Stories” – streha ku rrëfejmë ato çaste kur zemra kërkon të flasë, qoftë për të mirat, qoftë për të vështirat, për ndjesitë më të thella që nuk duam t’i mbajmë brenda. Nëse edhe ju dëshironi të ndani historinë tuaj, na shkruani në [email protected].