
Nëse edhe ty feed-i në rrjete sociale të është pushtuar nga fotot e Amalfit, rrugicat e Saint-Tropez apo ballkonet me pamje nga Positano, e dimë çfarë po mendon:
“Po pse duket gjithë bota sikur janë në një film të vjetër francez, me drita natyrale, verë në dorë dhe zero logo të mëdha?”
Ndërkohë që shumë mund të mendojnë se “vera europiane” është sinonim i çantave të shtrenjta dhe veshjeve me emra të mëdhenj, vajzat që vërtet kanë stil, ato franceze dhe italiane që vishen thjesht dhe bukur, na mësojnë diçka tjetër.
Në vend të logos së madhe, ato zgjedhin copa natyrale ngjyra neutrale, dhe gjithmonë e vendosin theksin te eleganca pa përpjekje. Ja çfarë kanë veshur ato vërtet së fundmi dhe çfarë mund të kopjosh për t’u dukur si një “muzë europiane”.
1. Fundet e lirshme me pika
Një fund i hollë sateni, një bluzë pambuku dhe sandalet me taka të ulëta janë uniforma verore e vajzave franceze. E lehtë, "e rrjedhshme" dhe shumë femërore, kjo është mënyra më e thjeshtë për të bërë atë jetën e ëmbël dhe pa shumë zhurmë.
2. Setet prej linoje (uniforma jozyrtare e Mesdheut)
Nëse nuk ke të paktën një set lino këtë verë, a je vërtet në Europë? Vajzat në Positano, Capri dhe Côte d’Azur po i përqafojnë këto kombinime të bardha apo në tone toke si një kombinim që funksionon nga mëngjesi, në drekë e deri në darkën buzë detit.
3. Këmishat me vija
Këmisha e lirshme me vija, si këmisha "e babit", është arma sekrete e çdo garderobe verore europiane. Francë, Itali apo Greqi, gjithkund po shohim vajza që e veshin të hapur mbi bikini, të futur pjesërisht në pantallona të gjera ose thjesht të lidhur në bel.
4. Trikot e thurura
Trikot e punuara me grep janë kthyer në një domosdoshmëri për ditët e nxehta. Në copa të tejdukshme, në ngjyra të buta apo neutrale, kjo është mënyra më “cool” për të treguar rrobat e banjës pa u dukur shumë e “ekspozuar”.
5. Bikini suuuper të thjeshta
Trekëndëshe, njëngjyrëshe, të pastra. Pa detaje të tepërta, pa “bling-bling”. Vajzat europiane e kanë kuptuar se një bikini klasike, në të zezë, të bardhë apo të kuqe, është shumë më joshëse sesa çdo model ekstravagant.
6. Fustanet si këmisha nate (fiks si nga një film i vjetër francez)
I keni parasysh ata fustanët e bardhë, me rripa të hollë dhe copa që duken sikur i flladit era gjithë kohës? Po, ata që duken si këmisha nate nga vitet ‘50, por që në realitet janë një armë e vërtetë sensualiteti. Vajzat franceze i veshin me sandale të vjetra prej lëkure… ose zbathur.
7. Shajet e mëndafshit
S’mund të quhet "verë europiane" pa një shall mëndafshi të lidhur në flokë, në qafë, apo në dorezën e çantës. Nëse do të ngjash si e dalë nga vitet ‘70, ky është detaji që bën gjithë ndryshimin.