Showbiz dhe TV

Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e këngëtares së njohur

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2025

Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e

Parashqevi Simaku ka folur për herë të parë në një intervistë ekskluzive në “Opinion”, përballë Blendi Fevziut, i cili kishte shkuar në New York për ta takuar. Parashqevia, e buzëqeshur, tregoi gjithçka dhe jo rrallëherë e shokoi Blendin, me shumë gjasa, edhe shikuesit.

Parashqevia tregon se si e nisi karrierën

Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e

Ajo e nisi rrëfimin duke treguar se si nisi karrierën dhe daljen e parë publike, me fustan dhe këpucë të marra borxh.

“Në fillim të dhjetorit 1981, më japin një duet me Hysni Zelën. Një javë para na vjen urdhri që nuk do bëhej festivali se Mehmet Shehu vrau veten. Ishte një dramë e madhe, se ne në Kavajë nuk ishim politikanë. Ne vetëm Allahun njohim, kështu jam rritur. Dola, për fat të keq ose për fat të mirë, unë duhet të dubloja Irma Libohovën. Edhe publiku ishte pak i zymtë, (kishte) frikë. E duartrokitën këngën e Krajkës, ai ishte gjithmonë modern. Dola e dyta unë, këndova dhe më kthyen dy herë të përshëndetesha”, u shpreh Parashqevia.

Më tej, këngëtarja vijoi:

“S’më njihnin fare!”, duke shtuar se një e njohura e saj i dha fustanin borxh: “Antigoneja nga Gjirokastra, ishte martuar me një fustan me lule dhe më dha fustanin e saj. Këpucët, më kanë çuar te garderoba e Operës dhe Baletit dhe kam veshur me gazeta këpucët lustrafinë të Edi Mihalit. Po ecja aty para se të më dilte emri. Vjen Alida Hysku e më tha: “Hë mi, mos ki frikë se shumë mirë do dalësh”. Unë po dridhesha, në atë kohë edhe Vaçe Zela dridhej, më tregonte Krajka. Irma e pyet Agim Krajkën, i thotë: “Pse s’më the se ajo është këngëtare shumë mirë?”,  duke rrëfyer kështu kujtimet e saj të para shumë viteve.

Largimi nga Shqipëria

Parashqevia tregoi ndër të tjera se si u largua nga Shqipëria. Fillimisht, ajo u largua me një pasaportë kalabreze, të blerë dhe quhej Victoria Marini.

“Nëna ime më tha: “Do shkoj të shoh vëllain tim në Itali”, që ishte një nga këto refugjatët. Qante gjithmonë. Me mikeshën time shkova në ambasadë. Ai, ambasadori italian më kishte parë gjithmonë në këto mbrëmjet që bënte partia për Krishtlindje dhe më mbante mend”, tregoi këngëtarja, duke shtuar se iu lut ambasadorit dhe ai e siguroi se do ta ndihmonte.

“S’kisha asnjë lekë! Më sollën atë makinën diplomatike. Vjen një burrë e grua nga New York-u dhe ata donin që të argëtoheshin, të hapnin muzikë në New York. Ishin nga Dibra e Maqedonisë, burrë e grua. Erdhën dhe më blenë një pasaportë kalabreze. Victoria Marini (emri në pasaportë). Unë flisja italisht, dukesha si italiane”, tha ajo më tej.

Parashqevia e cilësoi mbërritjen në New York si “shokuese”:

“U shokova kur erdha. Gjëja e parë që thoja është se pse qielli ishte kaq i lartë. Ne në Shqipëri retë i kemi si kalele. Më dukej sikur kisha shkuar në botë tjetër”, duke theksuar se shqiptarët në SHBA e donin shumë.

Jeta si e pastrehë

Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e

Parashqevia rrëfeu ndër të tjera se ka zgjedhur të jetojë si e pastrehë në Times Square.

“Pse mos të rrija jashtë? Isha jashtë sepse zgjodha të jem. Në atë kohë, qindra amerikanë ishin jashtë si unë. Kishim vende ku mund të shkonim, por unë zgjodha të isha jashtë. Ishte e imja. E quaj një pjesë të mirë të jetës sime, absolutisht”, u shpreh ajo.

Më tej, tha se kishte ushqim dhe njerëz që kujdeseshin për të:

“Jetoja në Times Square. Për ushqim kishte shumë organizata që kujdeseshin për ne. Të jetosh si e pastrehë është një zgjedhje. Çdo ditë dhe çdo natë kishte organizata që na jepnin batanije dhe përpiqeshin të na çonin në strehimore, por shumica nuk donin të shkonin”.

Ajo tregoi gjithashtu se si shtëpi kishte “Starbucks”.

“Aty më njihnin të gjithë. Shkoja, flija në mëngjes dhe qëndroja ngrohtë kur ishte ftohtë. Pija nga 3-4 kafe në ditë, të gjitha falas. Atyre u dukej e çuditshme që unë isha gjithmonë shumë e sjellshme”.

Parashqevia nuk ka dashuruar kurrë!

Këngëtarja tha ndër të tjera se nuk ka dashuruar kurrë në jetën e saj, as nuk ka ndjerë dashuri platonike, por ka pasur fatin ta duan shumë.

“Nuk jam dashuruar kurrë”, nënvizoi ajo, ndërsa Blendi, i çuditur e pyeti: “Kurrë, kurrë?”.
“Asnjëherë, por kam pasur fatin të duhem shumë”, tha më pas këngëtarja.

Ka lexuar gjithë librat fetarë

Intervista e parë e Parashqevi Simakut: Jeta dhe zgjedhjet e

Parashqevia tregoi pak nga traditat e ortodoksëve hebrenj e më vonë shtoi se ka studiuar. Ajo rrëfeu se i njoftoi familjarët se nuk u telefononte se do të mbaronte studimet:

“Çdo të premte në darkë duhet të shkoje të këndoje këngë për engjëjt, gjëja më e mrekullueshme që kam përjetuar ishte se burri me gruan nuk prekeshin, traditë e ortodoksëve hebrenj. Jetonin jetë të shenjtë. Sidomos gruaja nuk duhet të këndojë kurrë! Kisha për të ngrënë, për të pirë, s’më duheshin lekët. Çdo njeri hidhte para aty! Edhe sot e kësaj dite, mund të të tregoj qendrat për të studiuar, ngrënë, për punë. Falas! Vëllait i thashë: “Nuk do ju bëj dot telefon se do vazhdoj këto studimet”, tha ajo.

A do të vijë në Shqipëri?

Përgjigjja është pak e vagullt dhe sipas Blendit, tipike kavajse! “Me kismet të Zotit, inshallah!”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, opinioni publik u trondit nga fakti se Parashqevi Simaku endej në New York e pastrehë dhe merrte ndihma. Një fushatë nisi online, njerëzit nuk e kursyen mbështetjen dhe Elton Ilirjani shkoi dhe e mori nga rruga për ta strehuar dhe "rikthyer dinjitetin".